Thirrje institucionale dhe qytetare për ajër më të pastër
Pavarësisht pamjes së bukur në kryeqytet, prapa saj shihet qartë një problem serioz për shëndetin, siç është ndotja e ajrit, e cila ka shënuar rritje të vlerave mbi normat e lejuara gjatë ditëve të fundit.
Ekspertët e mjedisit theksojnë se ndotja e ajrit vazhdon të jetë e pranishme tash e më shumë se një muaj, ndërsa kohët e fundit është vërejtur përkeqësim i dukshëm.
“Mbrëmë, AQI ka qenë 174, që i bie rreth 100 mikrogramë për metër kub për PM2.5. Po ashtu, edhe PM10 ka qenë i lartë, si dhe gazrat. Të gjithë parametrat janë mbi normat e lejuara. Edhe grimcat që përbëjnë cilësinë e ajrit janë tri herë më të larta sesa normat e përcaktuara me ligjet e Kosovës dhe direktivat evropiane. Kjo tregon se gjendemi në një situatë jo të shëndetshme dhe të rrezikshme, sidomos në mbrëmje kur nuk ka erë”, ka thënë Ilir Morina, ekspert i mjedisit.
Morina thekson rëndësinë e marrjes së masave konkrete për tejkalimin e kësaj gjendjeje.
“Ka ardhur koha që, pas 25 vitesh diskutimesh, të merren masa afatgjata që ende nuk po zbatohen, si ndërrimi i filtrave të termocentraleve, kontrolli teknik i automjeteve dhe ndalimi i qarkullimit të automjeteve pa katalizator. Po ashtu, duhet kontroll i rreptë i produkteve të peletit, pasi ka pelet të lirë me përzierje plastike dhe mbetje të ndryshme”, ka shtuar Morina.
Ndërkohë, eksperti i cilësisë së ajrit, Shkumbin Shala, thotë se mbrojtja e ajrit është përgjegjësi e përbashkët.
“Instituti Hidrometeorologjik monitoron cilësinë e ajrit në kohë reale dhe të dhënat janë transparente për publikun. Apelojmë që qytetarët të kontribuojnë duke mos djegur mbeturina apo lëndë me lagështi të madhe, të cilat lirojnë gazra dhe pluhur, si dhe të përdorin më shumë trafikun urban për të ulur emetimet”, ka thënë Shala.
Edhe kushtet atmosferike, nga Instituti Hidrometeorologjik vlerësohen si faktor që përkeqëson ndotjen e ajrit.
Ajri i ndotur edhe sipas ekspertëve shëndetësorë paraqet rrezik për zhvillimin e disa sëmundjeve.
Kurse kujdes të shtuar u apelua për grupet e ndjeshme, si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kardiovaskulare dhe respiratore.
RTK ka pyetur edhe Ministrinë e Mjedisit lidhur me masat që janë duke u ndërmarrë për përmirësimin e cilësisë së ajrit, por deri më tani nuk ka pranuar përgjigje.