Paçarizi mohon ndikimin në procesin zgjedhor, kërkon hetim nga Prokuroria
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet, Fetah Paçarizi, ka mohuar çdo përfshirje apo ndikim në procesin e numërimit të votave, pasi pas rinumërimit i janë hequr rreth 6 mijë vota.
Në një reagim publik në Facebook, Paçarizi është distancuar nga çdo formë e keqpërdorimit apo manipulimit të mundshëm të votës, duke theksuar se është i angazhuar rishtas në politikë dhe se nuk ka ushtruar asnjëherë funksione apo përgjegjësi politike.
Ai ka kërkuar rinumërim të plotë të votave në të gjithë vendin, përfshirë edhe votat e diasporës, si dhe hetim institucional nga Prokuroria e Shtetit, me qëllim garantimin e transparencës dhe respektimit të vullnetit të qytetarëve.
“Për të siguruar barazi, transparencë dhe respektim të vullnetit real të votuesve, konsideroj të domosdoshëm rinumërimin e plotë të votave në nivel vendi, përfshirë edhe ato të diasporës. Nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë ndikim në këtë proces dhe distancohem plotësisht nga çdo keqpërdorim apo manipulim që mund të jetë bërë në emrin tim ose në dëm të votës së lirë,” ka deklaruar Paçarizi.
Po ashtu, ai ka theksuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), si institucion i pavarur kushtetues, duhet të ofrojë llogaridhënie publike dhe prova të qarta mbi ligjshmërinë dhe korrektësinë e veprimeve të ndërmarra gjatë procesit zgjedhor.
“Sipas tij, pavarësia institucionale nuk duhet të nënkuptojë mungesë përgjegjësie ndaj publikut,” thuhet në reagimin e tij.