MPB-ja nis fushatë informuese rreth Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete në pikat kufitare dhe në Aeroportin e Prishtinës
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar opinionin publik se nga dita e djeshme ka filluar një fushatë informuese për qytetarët në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës, si dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Sipas MPB-së, fushata po realizohet në kuadër të zbatimit të Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete dhe ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve lidhur me procedurat ligjore që duhet të respektohen gjatë hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës, si dhe me rregullat që kanë të bëjnë me drejtimin e automjeteve në territorin e vendit.
Fushata informuese do të zgjasë deri më 15 mars 2026.
Ministria e Punëve të Brendshme ka falënderuar zyrtarët policorë për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë realizimit të kësaj fushate, si dhe qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm.
“Ju urojmë mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPB-së. /Zëri