Analistët: Zgjedhja e presidentit pritet të jetë proces i ndërlikuar dhe i varur nga kompromisi politik
Foto: Laura Hasani

Analistët: Zgjedhja e presidentit pritet të jetë proces i ndërlikuar dhe i varur nga kompromisi politik

Aktuale January 17, 2026 - 08:59

Procesi i zgjedhjes së presidentit apo presidentes së Kosovës pritet të jetë i komplikuar dhe i kushtëzuar nga kompromiset politike ndërmjet partive. Kështu vlerësojnë analistët politikë, duke theksuar se roli vendimtar në këtë proces do ta ketë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por pa përjashtuar peshën e opozitës në sigurimin e shumicës së nevojshme parlamentare.

Analisti politik Artan Muhaxhiri për Ekonomia Online derisa e kosndieron kompleks cështjen e procesit të të zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re thekson se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 i ka dhënë Kurtit pushtet, obligim dhe rol kyç në këtë proces, por njëkohësisht edhe përgjegjësi për të ndërtuar kompromis me partitë e tjera për të siguruar 80 votat e nevojshme në Kuvend.

“Procesi i zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re do të jetë jashtëzakonisht i komplikuar sepse ka shumë copëza të mozaikut që do të duhet që të përputhen, të aranzhohen, në mënyrë që të arrihet deri te  një zgjidhje adekuate. Presidentja Osmani tashmë e ka shpallur kandidaturën për një mandat të ri mirëpo ideja është që cdo gjë do të varet nga zotëri Kurti. Pra, rezultati i 28 dhjetorit i jep atij mundësi, detyrë, obligim dhe pushtet që të jetë akteri kryesor në procesin e zgjedhjes së presidentit apo presidentes, por gjithsesi as ai i vetëm  nuk do të mund ta bëjë këtë, do t’i duhet një kompromis, një bashkëpunim me partitë tjera mënyrën që të arrijë 80 vota. Por gjithsesi deri në muajin mars do të ketë shumë elemte të reja, mbase edhe  do të na orientojnë drejt gjetjes së një zgjidhje e cila në çdo kontekst do të jetë vështirë nëse në fund të fundit, Kurti nuk dëshiron që të shkojmë në një proces të ri zgjedhor”, tha ai.

Por mbi të gjithë këtë, Muhaxhiri ka nënvizuar atë se presidentja Osmani këtë herë ndodhet në një pozicion politik më të dobët krahasuar me pesë vite më parë.

Pozicion ky që sipas tij, e bën Osmanin shumë më të varur nga vullneti dhe planet e Kurtit dhe e detyron atë të kërkojë një marrëveshje politike nëse synon rikandidimin.

“Presidentja Osmani ëhtë në një pozicion krejt tjetër në raport me atë të pesë viteve sepse tashmë nuk e ka bazë prej 300 mijë votash sic e kishte  atëhere kur u zgjodh, dhe partia GUXO pothuajse nuk ekziston, është shkrirë në Lëvizjen Vetëvendosje defacto, kështu që është tejet e varur, nga vullneti, dëshirat dhe planet e Kurti. Pra nuk ka një autonomi të vendimmarrjes, nuk mund t’i imponohet sic e kishte rastin herën e kalaur, tani është në një pozicion më të vështirë, është më e cenueshme politikisht, pra do të duhet një marrëveshje me Kurtin, nëse dëshiron me qenë sërish në kandidaturën e tij. por gjithsesi, edhe nëse ndodhë do të duhen votat, ose të LDK-së ose PDK-së, dhe të pakicave  gjithsesi sepse situata ka ndryshuar krejtësisht me atë të pesë vitet e kalume dhe do të duhet një qasje e re. Është evidente që presidentja po bën një fushatë, PR, por mendoj që nuk është i efektshëm në raport me Kurtin, por më shumë me opinionin publik, me një lloj tentimi që të krijohet një imazh politik për këtë mandat të saj presidencial, por absolutisht zotëri Kurti deri në momentet e fundit do të jetë ai prej Të cilit do të varet edhe a do të ketë një rikandidim të Osmanit apo jo”, tha ai.

Muhaxhiri shton se opozita, e tronditur nga rezultati zgjedhor i 28 dhjetorit, nuk guxon të bashkëpunojë pa kushte, duke theksuar se përsëritja e skenarit të kaluar do të ishte në dëm të saj dhe në favor të kryeministrit në detyrë.

“Partitë opozitare tashmë janë të tronditura politikisht nga rezultati i 28 dhjetorit dhe nuk e kanë aspak të lehtë të rikuperohen me një afat kaq të shkurtër, por gjithsesi në asnjë skenar, në asnjë mënyrë nuk guxojnë që të jenë bashkëpunuese pa marrë diçka nga Kurti. Pra, nuk guxon  që të ndodhë ajo qëndodhi herën e kaluar që të sigurohen votat pa asnjë kushtëzim politik sepse u pa dhe u dëshmua qartë se kjo i shkon vetëm në favor zotit Kurtit dhe në dëm të partive opozitare sepse presidentja Osmani vazhdimisht ka qenë në frekuenca të njëjta me kërkesat politike të zotëri Kurti”, tha ai.

Ndonëse deri më tani Vjosa Osmani është kandidatja e vetofruar për pozitën e presidentes, megjithatë, analisti politik, Afrim Kasolli për Ekonomia Online thotë se qëndrimet e subjekteve politike mbeten të paqarta, veçanërisht të partisë fituese të zgjedhjeve dhe liderit të saj, Albin Kurtit.

Kjo pasi që sipas Kasollit, Kurti i ka lënë të hapura të dyja opsionet: diskutimin me presidenten aktuale dhe njëkohësisht bisedimet me opozitën për një figurë konsensuale.

“Aktualisht kemi një kandidate të vetofruar për këtë pozicion, presidenten aktuale, me pretendimet e saj që vazhdimi i mandatit të dytë është në interes të Kosovës dhe është disponim qytetar e publik që ajo të vazhdojë funksionin e presidentes edhe për një mandat pesëvjeçar. Aktualisht janë të paqarta qëndrimet e subjekteve politike, ngase partia fituese e zgjedhjeve, në këtë rast Lëvizja VETËVENDOSJE, lideri i saj Albin Kurti, i ka lënë të hapura të dy opsionet: e para, që do të diskutojë si me presidenten aktuale, duke mos qenë shumë i vendosur që ajo është kandidatja e këtij subjekti politik, dhe në të njëjtën kohë po ashtu do të bisedojë edhe me subjektet opozitare në kërkim të një figure konsensuale”, tha ai.

Por Kasolli deshifron mesazhin që çoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku rreth cështjes së presidentit.

“E pamë edhe deklaratën e kryetarit të LDK-së, që kushdo që dëshiron president konsensual, është i detyruar të bëjë marrëveshje politike me LDK-në, duke transmetuar mesazhin se mbase kjo figurë i takon një kandidati nga ky subjekt politik. Do të thotë që LDK duhet ta nominojë presidentin nëse dikush i dëshiron votat e kësaj partie për kryetar të ri të shtetit. Mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat, por sipas të gjitha gjasave kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është i interesuar që t’i shterë të paktën para opinionit çdo mundësi që e ka bërë të pamundurën për të siguruar një lloj kompromisi politik me subjektet e tjera parlamentare, e edhe nëse shkohet në zgjedhje të reja për shkak të pamundësisë së zgjedhjes së presidentit, ai ta ketë këtë kartë elektorale që përsëri ishte kokëfortësia e subjekteve të tjera parlamentare që ndikuan që ne të futemi në këtë cikël të ri të bllokadave dhe që e detyrojnë vendin të shkojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare”, tha ai.

Ai shton se Lëvizja Vetëvendosje pritet të përpiqet të krijojë perceptimin publik se është e gatshme të marrë parasysh qëndrimet e opozitës, ndërsa në rast refuzimi, Kurti mund të shfaqet si viktimë politike e mungesës së kompromisit, në një proces që rrezikon ta fusë vendin sërish në bllokada institucionale dhe zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Zhvillimet politike do të jenë në atë drejtim që do të kemi një imponim, përpjekje të Lëvizjes Vetëvendosje të shfaqet para opinionit publik që është i interesuar domosdoshmërisht t’i marrë në konsideratë edhe mendimet dhe qëndrimet e subjekteve opozitare, mirëpo nëse këto të fundit refuzojnë, ai që të shfaqet si një lloj viktime politike, të cilit po i imponohen opsione të padëshiruara nga ana e tij, për shkak se subjektet e tjera parlamentare po refuzojnë kompromisin politik”, tha ai.