Kuvendi i Shtimes nderon ambasadorin William Walker me titullin “Qytetar i Përjetshëm”
Në kuadër të ceremonisë përkujtimore për përvjetorin e masakrës së Reçakut, Kuvendi i Komunës së Shtimes ka nderuar ambasadorin William Walker me titullin ceremonial dhe nderues “Qytetar i Përjetshëm i Shtimes”.
Sipas njoftimit zyrtar të komunës, ky titull i është dhënë ambasadorit Walker për rolin e tij historik në zbardhjen e së vërtetës mbi ngjarjet e 15 janarit 1999, si dhe për lidhjen e tij të vazhdueshme dhe të thellë me qytetin e Shtimes dhe banorët e tij.
Kryesuesi i Kuvendit, Rrahman Jakupi, gjatë ceremonisë theksoi rëndësinë e këtij nderimi.
“Ambasadori Walker është pjesë e historisë sonë dhe e së vërtetës sonë. Sot, Komuna e Shtimes ia hap përjetësisht dyert dhe zemrën si qytetar i këtyre njerëzve, si dëshmitar i së vërtetës dhe si mik i pandarë i Reçakut”, tha Jakupi.
Jakupi vuri në dukje se titulli përfaqëson mirënjohjen më të lartë të nivelit komunal: “Ky nderim është akt mirënjohjeje institucional dhe një shenjë e respektit të përhershëm ndaj rolit të Ambasadorit Walker në faktorizimin e krimeve të kryera në Reçak dhe në informimin e opinionit ndërkombëtar”.
Sipas Komunës së Shtimes, titulli “Qytetar i Përjetshëm i Shtimes” jepet vetëm për personalitete me ndikim historik, moral dhe njerëzor ndaj komunitetit, duke simbolizuar respektin dhe vlerësimin më të lartë të qytetarëve për veprën dhe angazhimin e tyre.