Haradinaj nga Reçaku: Gjykohen udhëheqësit e UÇK-së e nuk gjykohen ata që i kanë kryer krimet në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Haradinaj nga Reçaku: Gjykohen udhëheqësit e UÇK-së e nuk gjykohen ata që i kanë kryer krimet në Kosovë

Aktuale January 15, 2026 - 10:06

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se përjetë përkulen para të rënëve për liri, por nënvizon faktin se ende nuk ka drejtësi për gjitha masakrat që Serbia kreu në Kosovë.

Nga homazhet në Kompleksin Memorial në Reçak në 27-vjetorin e masakrës së tmerrshme që kryen forcat serbe, ai ka thënë se ndonëse Serbia ishte ajo që kreu krime, megjithatë nuk po ndëshkohet por po gjykohen padrejtësisht ish krerët e UÇK-së.

“Sot nderojmë në vendin edhe pranë trupave të dashurve tanë, atyre që u flijuan për liri. Në vendin e masakrës së Reçakut, masakrës që ktheu vëmendjen e NATO-së, Amerikës për krimet serbe në Kosovë. I jemi mirënjohës UCK dhe gjithë brezave që luftuan për liri. Përkulemi me respekt për jetë para të rënëve në liri ashtu siç përkulemi në Prekaz dhe çdo kudo u kanë rënë të dashurit tanë për lirinë e Kosovës dhe përjetësisht mirënjohës NATO-s dhe Amerikës për ndihmën që ta gëzojmë lirinë”, tha Haradinaj.

Image

Haradinaj thekson padrejtësinë që po bëhet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“E vërtetë është që nuk është vendosur drejtësia për masakrat në Kosovë, jo veç për Reçakun, por edhe për Mejën dhe të tjera. Dhe po ashtu është e vërtetë që po ashtu vazhdojnë të gjykohen udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e nuk gjykohen ata që i kanë kryer krimet anë e mbanë Kosovë. E dini që në gjithë Kosovën janë bërë masakra dhe është një akuzë që kërkon drejtësi”, theksoi Haradinaj.