Alijaj: Abdixhiku nuk dëshiron të heq dorë nga partia, LDK-ja rrezikon të ndahet në fraksione
Foto: Laura Hasani

Alijaj: Abdixhiku nuk dëshiron të heq dorë nga partia, LDK-ja rrezikon të ndahet në fraksione

Aktuale January 14, 2026 - 22:05

Analisti politik, Artan Alijaj ka thënë se është e qartë se Lumir Abdixhiku nuk dëshiron të heq dorë nga pozita e kryetarit të partisë.

Ai ka thënë se takimi i djeshëm nuk ishte i Kryesisë së partisë, por i një grupi të ngushtë të Abdixhikut.

Alijaj ka thënë se për rezultatin në zgjedhje dhe situatën e LDK-së duhet dikush të marrë përgjegjësi.

Duke ju referuar informacioneve të tij brenda LDK-së, ai ka thënë se përpos Hykmete Bajramit, dorëheqjen e Abdixhikut e ka kërkuar edhe Avdullah Hoti.

“Ajo çka ishte dje, nuk ishte një takim kryesie, por një takim i një grupi të ngushtë të Abdixhikut, nuk e dimë qëndrimin e Kryesisë së partisë, ajo çka është pritur që të ketë një takim kryesisë. Mendoj që është e qartë se z.Abdixhiku nuk dëshiron të heq dorë nga partia, mbase është e drejt legjitime e tij, por nëse nisemi nga ajo që është pretenduar nga LDK si institucion edhe kur e ka marrë pozitën e kryetarit z. Abdixhiku, e ka marrë me atë togfjalëshin që është largu dikush që i ka humb zgjedhjet dhe po vjen një i ri i cili do ta respektoj këtë standard. Dhe tash jemi në një situatë ku LDK brenda 10 muajsh humbi dy palë zgjedhje”, ka thënë ai në Tëvë1.

Alijaj ka thënë se situata në LDK është kritike dhe deri tash nuk është menaxhuar në mënyrën më të mirëm duke shtuar se kjo parti rrezikon të ndahet në fraksione.

“Mendoj se është një situatë shumë kritike për partinë, këta nashti mund ta menaxhojnë situatën dhe të dalin, por është pikëpyetje se në çfarë forme do të dalin. Ekziston rreziku i ndarjes së partisë në fraksione të ndryshme dhe mendoj që ai është rreziku më i madh. Mendoj që është shumë me rëndësi që kjo situatë të menaxhohet në mënyrën sa më të mirë dhe për fat të keq siç po shihet që nga nata e zgjedhjeve, menaxhimi i situatës është duke u bërë në mënyrë jo shumë profesionale”, ka thënë ai.

Të mërkurën Hykmete Bajrami ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i nënkryetares së partisë.

Ajo ka thënë se në takimin e së martës dorëheqjen ia ka kërkaur edhe kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.