Nis rinumërimi i 914 vendvotimeve, Elezi thotë se pritet të zgjasë rreth dy javë
Ka nisur rinumërimi i 914 vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, i cili sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pritet të zgjasë nga 12 deri në 14 ditë.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ mori vendim që të rinumërohen. Pra, KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen 914 vendvotime nga 2,557 në të cilat është zhvilluar procesi i rregullt i votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025. Në QNR numërimi do të bëhet në 20 tavolina numërimi dhe brenda një dite planifikohet të rinumërohen mesatarisht 80 kuti votimi. Numërimi i 914 vendvotimeve, që përbënë 36% të vendvotimeve, mund të zgjasë nga 12 deri në 14 ditë”, tha ai. Elezi sqaroi se rinumërimi nuk do të zhvillohet në të njëjtën masë në të gjitha komunat e vendit, pasi vendimi i KQZ-së parasheh qasje të ndryshme në varësi të komunës. “Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut)”, theksoi ai.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, vendimi për rinumërim është marrë pas identifikimit të mospërputhjeve gjatë verifikimit të votave të kandidatëve për deputetë në disa vendvotime. “Ky vendim i KQZ-së vjen pas gjetjeve nga verifkimi i votave të kandidatëve për deputetë nga 33 vendvotime të ndryshme, ku rezulon se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime”, tha ai.
Elezi shtoi se qëllimi kryesor i këtij procesi është ruajtja e besueshmërisë së zgjedhjeve dhe garantimi i vullnetit të qytetarëve.
“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e votave ka për qëllim garantimin e saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor. Ky veprim synon verifikimin e çdo vote dhe sigurimin që rezultati përfundimtar të pasqyrojë në mënyrë të drejtë dhe të besueshme vullnetin e qytetarëve”, shtoi Elezi. Vendim i KQZ-së për rinumërimin e 914 vendvotimeve erdhi pas paraqitjes së një raporti nga verifikimi i votave të kandidatëve për 2% të vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025. Sipas këtij raporti, më 10 janar 2026, Sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e videoincizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë. Pas këtyre evidentimeve, SKQZ ka bërë verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve për kandidatë në 2% të vendvotimeve apo 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Deri në përfundim të ditës së hënë, 12 janar 2026, janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime.