DnV kërkon rinumërimin e votave të kandidatëve në të gjitha vendvotimet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për rinumërimin e 914 vendvotimeve që i takojnë të gjitha komunave.
Sipas njoftimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100 për qind të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).
Por, misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), vlerëson se gjetjet e KQZ-së nga verifikimi i 2% të vendvotimeve për votat e kandidatëve, dëshmojnë se procesi i numërimit ka pasur mangësi serioze, të cilat cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e rezultateve zgjedhore.
Andaj, ky mision kërkon që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve në të gjitha vendvotimet.
“Konfirmimi i dallimeve substanciale në votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, bazuar në vetëm 2% të mostrës së vendvotimeve, është një indikator i problemeve serioze strukturore, duke përjashtuar mundësinë që këto mospërputhje të rrjedhin nga gabime të izoluara njerëzore”, tha DnV në një komunikatë për media.
Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve tha se, përkundër vendimit të sotëm të KQZ-së për rinumërimin e 10% të të gjitha vendvotimeve në nivel vendi dhe për rinumërimin e 100% të vendvotimeve në 10 komuna, kjo masë është e pamjaftueshme.
“Rinumërimi i vetëm 1/3 së vendvotimeve mund të prodhojnë ankesa dhe kërkesa të reja për rinumërim të vendvotimeve tjera duke e vonuar edhe më tutje procesin”, tha DnV.
Andaj, DnV rekomandon që të ketë rinumërim të plotë të votave të kandidatëve në të gjithë vendin për të siguruar kredibilitet të procesit dhe besim të publikut në rezultatet zgjedhore.
“Po ashtu kërkojmë nga organet e drejtësisë që të fillojnë hetimin e të gjitha rasteve ku ka dyshime për keqpërdorim të procesit të numërimit”, tha misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Demokracia në Veprim rithekson se qëllimi kryesor nuk duhet të jetë përshpejtimi i shpalljes së rezultateve, “por sigurimi që çdo votë e qytetarit të numërohet saktë dhe të reflektohet drejt në përbërjen e institucioneve të ardhshme”.