Ambasadori gjerman viziton fondacionin “Jahjaga” dhe muzeun “Moment”
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka vizituar fondacionin “Jahjaga” dhe muzeun “Moment”, ku është njohur nga afër me historitë e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe me punën e fondacionit “Jahjaga” në avancimin e të drejtave të grave, rinisë dhe të drejtave të njeriut.
Gjatë vizitës, ambasadori Rudolph, përmes një postimi në Facebook, bëri të ditur se me këtë rast ka theksuar rëndësinë e paqes së qëndrueshme, duke cituar mesazhin: “Paqja jonë nuk do të jetë kurrë e plotë pa paqen e tyre”.
Ai u informua mbi rolin e muzeut “Moment”, i cili është ngritur me mbështetjen e Ambasadës Gjermane dhe i cili, përmes qasjes artistike, hedh dritë mbi procesin e përpunimit të traumës si element kyç për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore.
Në kuadër të vizitës, ambasadori u takua edhe me ish-presidenten e Kosovës dhe themeluesen e fondacionit “Jahjaga”, Atifete Jahjaga, me të cilën diskutoi për projektet aktuale dhe të ardhshme që synojnë avancimin të barazisë gjinore, demokracisë dhe paqes.
Ish-presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës Gjermane, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për fuqizimin e grave dhe promovimin e të drejtave të njeriut.