Fushtica: Prishtina tashmë është në fazën e rimëkëmbjes pas vërshimeve
Foto: Laura Hasani

Fushtica: Prishtina tashmë është në fazën e rimëkëmbjes pas vërshimeve

Aktuale January 13, 2026 - 09:16

Kosova është përballur ditëve të fundit me vërshime të mëdha, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa komuna të vendit.

Reshjet e dendura të shiut dhe kushtet e pafavorshme atmosferike kanë prekur edhe Prishtinën dhe rrethinën, duke detyruar institucionet lokale të ndërmarrin masa për menaxhimin e gjendjes dhe rimëkëmbjen pas dëmeve të shkaktuara.

Sipas autoriteteve komunale, kryeqyteti tashmë ka hyrë në fazën e rimëkëmbjes pas përballjes me këto vërshime.

Lidhur me gjendjen pas vërshimeve, drejtori i Emergjencave në Prishtinë, Lulzim Fushtica ka deklaruar për Ekonomia Online se puna në terren po vazhdon intensivisht dhe se ekipet emergjente janë duke intervenuar.

“Pas vërshimeve që i kemi pasur dhe dëmeve që janë shkaktuar në ekonomitë familjare, në biznese dhe në bujqësi, për momentin jemi në fazën e rimëkëmbjes. Sa po flasim ne, veçse i kemi ekipet në kryeqytet, në disa lagje të kryeqytetit, të cilat me makineri të rënda janë duke bërë pastrimin, largimin e baltës dhe mbeturinave në disa pjesë të Prishtinës, por edhe në fshatra, në mënyrë që të funksionalizojmë dhe të kthehet jeta në normalitet. Tash jemi në fazën e rimëkëmbjes dhe jemi duke punuar që të rimëkëmbet situata dhe kemi intervenuar aty ku kemi pasur dëme që ne mundemi t’i rikuperojmë. Faza tjetër atëherë do të fillojë me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga këto vërshime”, tha ai.

Fushtica bëri të ditur se edhe gjatë fundjavës janë realizuar dhjetëra intervenime në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe rrethinës.

“Ne edhe gjatë ditës së shtunë, sepse të dielën ka qenë ditë më e qetë për shkak të ngricave, temperaturave të ulëta, borës dhe pamundësisë për të intervenuar, gjatë së shtunës kemi pasur mbi 30 intervenime në të gjitha pjesët e kryeqytetit. Në shumicën e rasteve kanë qenë në fshatrat e kryeqytetit: në Bërnicë të Poshtme dhe të Epërme, në Prugovc, Drenoc, në lagjen Kodrina, në Mramor, Slivovë, pra gati në të gjitha fshatrat e kryeqytetit, dhe në disa pjesë të Prishtinës si në Kodrën e Trimave, në Emshir, Dragodan, pra pothuajse në të gjitha pjesët e Prishtinës. Tani janë duke intervenuar në lagjen Kalabria dhe në fshatrat që kanë mbetur në Bërnicë, në disa pjesë, dhe gjatë këtyre ditëve edhe në Drenoc, kryesisht te varrezat, që të largohet uji dhe të kthehet jeta në normalitet, aq sa mund të kthehet. Në të gjitha pjesët e Prishtinës ka pasur intervenim dhe do të ketë edhe ditëve në vijim, në mënyrë që të fillojë faza e rimëkëmbjes”, theksoi Fushtica.

Sa i përket dëmeve materiale, ai theksoi se është ende herët për një vlerësim të saktë, por dëmet janë evidentuar kryesisht në shtëpi banimi.

“Sa u përket dëmeve që janë shkaktuar në ekonominë familjare, ato janë kryesisht dëme në shtëpi, në kate përdhese, në shtëpi që ndoshta kanë qenë më të dobëta; është shkatërrimi i dyshemeve dhe pajisjeve, por është shumë herët që të flasim për këtë. Në këtë fazë, ne sot do të bëjmë thirrje që qytetarët të fillojnë të dorëzojnë kërkesat për dëmshpërblim pranë komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, i cili do t’i vizitojë të gjithë dhe do të bëjë vlerësimin dhe më pas raportin që do të dorëzohet në qeveri për dëmshpërblim, për arsye se me një vendim të qeverisë të vitit 2022 kjo kompetencë i është marrë nivelit lokal dhe dëmshpërblimin e bën qeveria, ndërsa vlerësimin dhe raportin e bën niveli komunal”, nënvizoi ai.

Sa i përket ngricave pas reshjeve të borës, Fushtica bëri të ditur se ka pasur raste që kanë intervenuar.

“Edhe pse kjo pjesë i takon Drejtorisë për Shërbime Publike, kjo menaxhohet nga Qendra Operative Emergjente, e cila është 24/7 pjesë e drejtorisë time. Kemi pasur raste gjatë dy ditëve të fundit në disa pjesë të Prishtinës dhe të gjitha ekipet kanë intervenuar dhe janë duke intervenuar në bazë të kërkesave që i kemi pasur nga qytetarët”, shtoi ai.