Njohësit: Shfuqizimi i Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë i pritshëm, por i vonuar
Foto: Laura Hasani

Njohësit: Shfuqizimi i Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë i pritshëm, por i vonuar

Aktuale January 11, 2026 - 08:28

Në seancën e 5 dhjetorit të vitit 2024, në Kuvend ishin miratuar disa projektligje.

Por, 13 prej tyre, Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi këtë të premte.

Kjo pasi sipas tyre, ishin shkelur nenet kushtetuese që rregullojnë formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit.

Ndër këto vendime, ishte edhe edhe Ligji për Konfiskimin e Pasurisë.

E shfuqizimi i tij po mirëpritet nga monitorues të punës së Kuvendit.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thonë se i njëjti ishte një mesazh i qartë për të ardhmen e Kosovës.

“Mendoj që ka dhënë një mesazh të qartë edhe për të ardhmen që çdo proces legjistativ, çdo nismë legjistative që procedohet në Kuvend duhet të procedohet sipas rregullave dhe procedurave të parapara parlamentare dhe asesi që këto procedura të procedohen me nguti”, deklaroi Vullnet Bugaqku nga KDI.

Bugaqku thotë se Kushtetuesja është dashur që këtë vendim ta marrë më herët.

“Është pak shqetësuese mënyra se si Gjykata pothuajse për dy vjet e mbajti në procedim këtë projektligj. Për arsye procedurale, Gjykata Kushtetuse ka mundur edhe më herët t’i nxjerr këto vendime dhe konstatimet në fjalë”, thotë ai.

I të njëjtit mendim është edhe avokati, Asdren Bytyqi.

“Prej aspekteve të cilat konsideroj ka qenë kyqe anti-kushtetuse është për faktin që nuk mund të zhvillohen njëkohësisht dy procedura edhe procedura penale edhe procedura civile. Konsideroj se mënyra e themelimit të këtij organizmi, përkatësisht të këtij Agjencionit është në kundështim me Kushtetutën dhe Ligjin, sepse në këtë rast kjo themelohet nga Qeveria dhe me votën e shumicës parlamentare, e cila mund të ndikojë në pavarësinë dhe paanshmërinë e këtij institucioni”, tha ai.

Këtë vendim të Kushtetueses e kanë mirëpritur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës të cilët e patën kontestuar procedurën e miratimit të ligjeve.

Ndërsa ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka thënë se vendimi është joligjor, joprofesional dhe joetik.

Në seancën plenare të 5 dhjetorit të 2024-s, Kuvendi pati miratuar 20 ligje, ku votimi ishte bërë pa praninë e deputetëve të opozitës./teve1