Durmishi: Reshjet shkaktojnë vërshime dhe probleme në disa rrugë, ekipet në terren për sanim emergjente

Durmishi: Reshjet shkaktojnë vërshime dhe probleme në disa rrugë, ekipet në terren për sanim emergjente

Aktuale January 10, 2026 - 11:40

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut dhe borës ditëve të fundit, janë shkaktuar vërshime që kanë prodhuar probleme në disa segmente rrugore në Kosovë.

Sipas tij, në rrugën Prishtinë–Ferizaj është bllokuar qarkullimi për shkak të grumbullimit të ujit, i cili ka ardhur si pasojë e kyçjeve ilegale në kanalet atmosferike. Durmishi bëri të ditur se ekipet janë në terren duke punuar në shkarkimin e ujit dhe se rruga pritet të hapet për qarkullim brenda ditës.

Probleme janë evidentuar edhe në nënkalimin në Mazgit, në drejtim të autostradës, ku ka grumbullim të ujit për shkak të bllokimit të kanalit atmosferik. Ministri njoftoi se po punohet intensivisht për zhbllokimin e këtij segmenti.

Në autostradën “Ibrahim Rugova” është shënuar rrëshqitje e dheut, ndërsa ekipet kompetente janë duke ndërhyrë për sanim sa më të shpejtë, me qëllim të normalizimit të qarkullimit.

Gjithashtu, në Sllatinë, në rrugën Fushë Kosovë–Gjurgjicë, ka grumbullim të ujit në rrugë, ku po zhvillohen ndërhyrje emergjente dhe pritet rikthimi i shpejtë i qarkullimit normal.

Ndërkohë, në rrugën Zhur–Dragash është evidentuar lëvizje e trupit të rrugës. Sipas ministrit, është vendosur sinjalizimi përkatës dhe aktualisht qarkullimi zhvillohet në një shirit.

Durmishi ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve deri në sanimin e plotë të këtyre problemeve dhe ka apeluar që, nëse është e mundur, të evitohet qarkullimi i panevojshëm në këto pika problematike.