KGJK-ja mirëpret vendimin e Kushtetueses për konfirmimin e Ligjit për Gjykatën Administrative
Foto: Laura Hasani

KGJK-ja mirëpret vendimin e Kushtetueses për konfirmimin e Ligjit për Gjykatën Administrative

Aktuale January 09, 2026 - 20:16

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për konfirmimin e Ligjit për Gjykatën Administrative.

Në reagim thuhet se kjo gjykatë do të mundësojë qasje më të lehtë në drejtësinë administrative për qytetarët e Kosovës.

Nga 1 janari ka hyrë në fuqi Udhëzimi i ri Administrativ për unifikimin e taksave gjyqësore, që parashikon rritje të ndjeshme të tarifave për të gjitha procedurat që zhvillohen në gjykatat e Kosovës. Ndryshimet prekin qytetarët dhe bizneset, duke rritur kostot e inicimit dhe ndjekjes së rasteve gjyqësore. Sipas udhëzimit, taksat për paditë civile dhe ato në Gjykatën Komerciale janë rritur disa herë krahasuar me tarifat e mëparshme, përfshirë edhe procedura bazike si paditë për pengim posedimi apo kërkesat për sigurimin e provave. Rritje të theksuara vërehen veçanërisht në rastet me vlerë më të lartë kontesti.

Avokatët shprehin shqetësim se rritja e taksave mund të ndikojë në uljen e numrit të rasteve të reja që iniciohen në gjykata, duke ngritur shqetësime për qasjen në drejtësi. Sipas tyre, ekziston rreziku që kostot e larta procedurale ta bëjnë sistemin më pak të qasshëm për qytetarët dhe bizneset me mundësi të kufizuara financiare.

 “Kemi rritje të tarifave të cilat në disa raste shkojnë 300 përqind. Kjo normalisht që ndikon në punën e avokatëve sepse qytetari para se të fillojë një procedurë do ta llogarisë koston e kësaj procedure për kërkimin e një të drejte. Respektivisht janë paraqitur vështirësi në realizimin e të drejtave të qytetarëve për shkak të pengesave, rritja e tarifave”, tha Florim Shefqeti, avokat.

Këto tarifa disa prej tyre janë rritur mbi 300 përqind, që nënkupton që do të preken shtresat më të ulta të cilat nuk kanë mundësi financiare që çështjet e tyre t?i ndjekin përmes rrugëve gjyqësore. Rrjedhimisht kemi paraqyrë kategoritë sociale dhe kategoritë tjera të cilat nuk gëzojnë lirim nga pagesa e taksave gjyqësore”, shtoi ai.

Por gjatë ditës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përmes një njoftimi publik ka sqaruar se miratimi i udhëzimit administrativ për taksat gjyqësore është në përputhje me ligjin dhe mandatet kushtetuese, me qëllim garantimin e qasjes efektive në drejtësi. KGJK thekson se ky udhëzim përcakton lirimin nga pagesa e taksave për qytetarët më të ndjeshëm, përfshirë shfrytëzuesit e asistencës sociale, familjet e dëshmorëve, veteranët, si dhe personat me aftësi të kufizuara. Nga pagesa lirohen gjithashtu edhe institucionet shtetërore. Ky rregullim vjen pas 6 vitesh pa ndryshime në taksat gjyqësore dhe ka për qëllim përshtatjen me realitetin ekonomik dhe standardin jetësor në Kosovë, duke respektuar parimin e proporcionalitetit dhe zgjerimin e kategorive të liruara nga pagesa. Taksat qëndrojnë si të hyra për buxhetin e Kosovës dhe nuk shkojnë direkt për Këshillin apo gjykatat, thuhet në sqarimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.