Qytetarët të revoltuar me KRU “Prishtina”, qe katër ditë pa ujë - ndonëse paralajmërohen vetëm reduktime
Qytetarë të shumtë në Prishtinë, Fushë-Kosovë dhe Obiliq po shprehin revoltë të madhe ndaj Kompanisë Rajonale të ujësjellësit “Prishtina”, duke thënë se janë pa furnizim me ujë tash e katër ditë rresht, ndonëse nga kompania është paralajmëruar vetëm për reduktime disaorëshe.
Ankesat e qytetarëve janë shtuar në rrjete sociale, ku ata pretendojnë se në lagje të tëra uji mungon tërësisht, duke e bërë të vështirë përballjen me nevojat bazike ditore. Sipas tyre, realiteti në terren nuk përputhet me njoftimet zyrtare të KRU “Prishtina”, transmeton Zeri.info.


Ndërkohë, KRU “Prishtina” ka sqaruar se problemet në furnizim kanë ardhur si pasojë e turbullirave të larta në kanalin Ibër-Lepenc, të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut, çka ka nxjerrë jashtë funksionit Impiantin e Trajtimit të Ujit (ITU) në Shkabaj.
Në njoftimin e saj zyrtar, kompania ka bërë të ditur se nga ora 11:00 deri në 17:00 do të ketë reduktime në furnizimin me ujë në këto zona: Fushë Kosovë, Obiliq dhe një pjesë e lagjes Kalabria në Prishtinë, ndërsa furnizimi pritet të rikthehet nga ora 17:00 deri në 22:00. Po ashtu, është paralajmëruar se ndikime mund të ketë edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
“KRU ‘Prishtina’ njofton se ekipet janë në terren dhe po monitorojnë situatën vazhdimisht, ndërsa furnizimi do të rikthehet sapo të stabilizohen parametrat e ujit. Aktualisht, me ITU Albanik dhe Badoc po trajtohet ujë me kapacitet maksimal”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, qytetarët kërkojnë transparencë më të madhe dhe zgjidhje urgjente, duke theksuar se mungesa e ujit për disa ditë rresht është e papranueshme dhe po u shkakton vështirësi serioze në jetën e përditshme.
Këto qytete edhe më herët janë përballur me reduktime nën arsyetimin se “kishte turbullira për shkak të punimeve në Ibër-Lepenc”. /Zëri