Dorëhiqet kryetari i Degës së PDK-së në Gjermani: Dështuam pasi pati ndërhyrje direkte nga individë të caktuar

Dorëhiqet kryetari i Degës së PDK-së në Gjermani: Dështuam pasi pati ndërhyrje direkte nga individë të caktuar

Aktuale January 08, 2026 - 14:15

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Baden-Württemberg të Gjermanisë ka dhënë dorëheqje nga funksioni i tij, duke e arsyetuar këtë vendim me përgjegjësi politike dhe respekt ndaj proceseve demokratike brenda partisë.

Në letrën e dorëheqjes drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, Kryesisë së partisë dhe përkrahësve, ai thekson se vendimi nuk lidhet me ndonjë dështim personal apo institucional, por me bindjen se rotacioni dhe qasjet e reja janë të domosdoshme dhe të shëndetshme për çdo organizim politik.

Megjithatë, ai ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj Kryesisë së PDK-së, duke deklaruar se tentativat për ta fajësuar degën e mërgatës për rezultatin e dobët zgjedhor nuk qëndrojnë. Sipas tij, aktivistët në mërgatë kanë kontribuuar me përkushtim maksimal, pa interesa personale apo përfitime, por vetëm nga vullneti dhe përgjegjësia ndaj partisë, transmeton Zeri.info.

I dorëhequri vlerëson se shkaku kryesor i rezultatit të dobët zgjedhor në mërgatë ka qenë ndërhyrja direkte e individëve të caktuar, të cilët, sipas tij, kanë shkaktuar përçarje të vazhdueshme, kanë dëmtuar unitetin e strukturave dhe kanë demotivuar aktivistët. Ai thekson se përgjegjësia nuk duhet t’u bartet atyre që kanë punuar, por atyre që, sipas tij, kanë minuar punën dhe bashkëpunimin brenda partisë.

Gjatë mandatit të tij, ai shprehet se ka ushtruar detyrën me integritet, transparencë dhe përkushtim të plotë, duke punuar në interes të PDK-së dhe të mërgatës shqiptare në Gjermani. Dorëheqjen e konsideron si një hap të vetëdijshëm për t’i hapur rrugë një faze të re të organizimit politik dhe forcimit të mëtejshëm të degës.

Në fund, ai ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe anëtarët për korrektësinë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm gjatë kësaj periudhe.

Njoftimi i plotë:

I nderuari kryetar i PDK-së, z. Bedri Hamza,

E nderuar Kryesi e PDK-së,

Të nderuar përkrahës të PDK-së në përgjithësi, dhe përkrahës të mi në veçanti,

Në frymën e përgjegjësisë politike dhe respektit ndaj proceseve demokratike, kam vendosur që të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të PDK-së, Dega Baden-Württemberg, Gjermani.

Ky vendim nuk lidhet me ndonjë dështim personal apo institucional, por me bindjen time se rotacioni dhe qasjet e reja janë të shëndetshme për çdo organizim politik.

Kryesia e PDK-së vazhdimisht ka tentuar të na fajësojë për dështimin në mërgatë. Kjo akuzë nuk qëndron. Ne kemi kontribuar me përkushtim maksimal, pa asnjë interes personal, pa përfitime dhe pa kalkulime, por vetëm nga vullneti, përgjegjësia dhe dashuria për partinë.

Fajtori kryesor për rezultatin e dobët të zgjedhjeve në mërgatë ka qenë ndërhyrja direkte e individëve të caktuar, të cilët me veprimet e tyre kanë shkaktuar përçarje të vazhdueshme. Këto ndërhyrje kanë dëmtuar unitetin, kanë demotivuar aktivistët dhe kanë minuar punën e sinqertë të atyre që kontribuan pa interesa personale. Përgjegjësia nuk mund të bartet tek ata që punuan, por tek ata që përçanë.

Gjatë kësaj periudhe, kam ushtruar detyrën me përkushtim të plotë, integritet dhe transparencë, duke punuar në interes të partisë dhe të mërgatës sonë. Dorëheqja ime është një hap i vetëdijshëm për t’i hapur rrugë fazës së radhës së organizimit politik dhe forcimit të mëtejshëm të degës.

Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët dhe anëtarët për korrektësinë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.

Me respekt,

Kryetari i Degës së PDK në Baden-Württemberg,

Gjermani,

Shahin Dervishaj