“Djathi Mozzarella i kontaminuar me aflatoksinë M1, i prodhuar nga qumështi i buallicës” - AUV-i me njoftim
Foto: Ilustrim

“Djathi Mozzarella i kontaminuar me aflatoksinë M1, i prodhuar nga qumështi i buallicës” - AUV-i me njoftim

Aktuale January 08, 2026 - 09:46

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës njofton opinionin publik se përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF) ka marrë një njoftim me numër 2026.0032, lidhur me praninë e mundshme të aflatoksinës M1 në djathin Mozzarella të prodhuar nga qumështi i buallicës.

AUV-i thekson se duke u bazuar në vlerësimin e mundshëm të një rreziku serioz, Agjencia është duke ndërmarrë masat e nevojshme, në përputhje me procedurat e sistemit RASFF, për të monitoruar këtë rast dhe për të tërhequr nga tregu djathin Mozzarella nga qumështi i buallicës.

Bëhet e ditur se lote të ndikuara janë: 25346, 25347, 25349 dhe 25350, me origjinë nga Italia, prodhuesi Caseificio Coop. “La Contadina” A.R.L., eksportuesi Cepparo S.P.A. Itali dhe i importuar nga Premio SHPK, Sllatinë e Madhe.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar për monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe zinxhirit ushqimor, duke zbatuar masa parandaluese dhe kontrolluese për të siguruar që konsumatorët në Republikën e Kosovës të kenë në dispozicion ushqim të sigurt, të shëndetshëm dhe në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftim.