Ulen temperaturat, Kurti: Shmangni lëvizjet e panevojshme
Foto: Laura Hasani

Ulen temperaturat, Kurti: Shmangni lëvizjet e panevojshme

Aktuale January 07, 2026 - 22:45

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se sonte është natë kritike sa i përket qarkullimit në rrugët e Kosovës.

Ai tha se kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në -9 gradë Celsius, sipas tij, paraqet rrezik të shtuar, pasi rrugët e lagura nga shiu pritet të ngrijnë.

“Sonte është natë kritike sa i përket qarkullimit në rrugët e Kosovës. Kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9°C, paraqet rrezik të shtuar, pasi rrugët e lagura nga shiu pritet të ngrijnë”, shkroi ai.

Ai tha se kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren, derisa u bëri thirrje qytetarëve për kujdes.

“Të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin. Është i domosdoshëm zbatimi i ligjit për sezonin dimëror, përkatësisht pajisja e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë”.

“U bëjmë thirrje të gjithëve që sonte të mos lëvizin nëse nuk e kanë të domosdoshme. E nëse megjithatë duhet të qarkullojnë gjatë natës së sontme, atëherë patjetër të bëjnë vozitje të kujdesshme duke ju përshtatur kushteve atmosferike. Ne po bëjmë maksimumin për t’ju dalë në ndihmë andaj edhe ju lutemi të kontribuoni në rritjen e sigurisë duke shmangur lëvizjet e panevojshme”, shkroi Kurti.