Reshjet paralizojnë furnizimin me ujë në Mitrovicë
Reshjet e dendura të shiut që përfshinë Mitrovicën dje gjatë ditës kanë shkaktuar probleme serioze në furnizimin me ujë të pijes. Situata ka qenë e rënduar edhe nga rreziku i vërshimeve. Në fshatin Koshtovë, reshjet e mëdha kanë shkaktuar përmbytje të cilat janë evituar dje, ndërsa lumi Lushta ka pasur prurje të mëdha të ujit.
Për shkak të këtyre situatave, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme me të gjithë akterët relevantë të sigurisë dhe emergjencës.
”KRU Mitrovica” ka njoftuar se, për shkak të turbullirës së madhe të ujit, furnizimi për pije është ndërprerë për një periudhë të pacaktuar. Fabrikat e ujit në Shkabaj dhe Bivolak aktualisht nuk janë funksionale, pasi uji në hyrje të fabrikave nuk mund të trajtohet sipas standardeve të sigurisë.
Ndërsa Faruk Mujka kryeshef në Ibër Lepenc tha se janë duke u bërë punë intensive për përfundimin e kanalit Ibër Lepenc që të bëhet më e lehtë pastrimi i ujit nga mbeturinat të cilat i kane sjell përmbytjet.
Në terren janë angazhuar Forca e Sigurisë së Kosovës, zjarrfikësit, ekipet komunale dhe vullnetarë, të cilët po punojnë në pastrimin e kanaleve dhe në parandalimin e dëmeve të mëtejshme.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht ata që furnizohen nga bunarë të pambrojtur.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe për respektim të rekomandimeve zyrtare, derisa situata të stabilizohet.