Laboratori në IML jashtë funksionit, vonohen raportet e autopsisë

Laboratori në IML jashtë funksionit, vonohen raportet e autopsisë

Aktuale January 07, 2026 - 20:11

Në gusht të 2023, L.Sh vdiq pasi kishte marr trajtim mjekësor te dentisti, në Malishevë.

Prokuroria Themelore në Gjakovë nisi hetimet ndaj ordinancën ku ishte trajtuar nën dyshimet për “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” dhe  vepren penale “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore”.

Por më shumë se dy vite pas rastit, hetimet ende nuk kanë marr epilog për shkak se ende nuk është hartuar raporti i plotë i autopsisë.

“Ju njoftojmë se rasti është në fazën e hetimeve, për shkak se raporti i autopsisë për të ndjerën L.Sh., nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), nuk është pranuar ende, sepse mostrat e të ndjerës janë dërguar jashtë vendit për ekzaminim, dhe kjo është arsyeja e vonesës së raportit të autopsisë nga IML. Mbi këtë bazë Prokuroi i Shtetit ka kërkuar zgjatjen e hetimeve edhe për një (1) vit lidhur me këtë rast dhe është aprovuar nga Gjykata”, thuhet nga  Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Dukagjini ka dërguar pyetje edhe në Institutin e Mjekësisë ligjore për këtë rast, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Në janar të 2025, ekipi i IML-së, i ishte drejtuar Prokurorisë në Gjakovë, duke i kërkuar të lëshoje urdhëresë për dërgimin e mostrave jashtë Kosovës, meqë Laboratori i Toksikologjisë ishte jashtë funksionit.

Por raste të tilla ka shumë, siç tregojnë avokatë nga përvojat e tyre.

“Ka vonesa të nxjerrjes së ekspertizave kjo nga fakti se thuhet se ka edhe  mungesë të stafit edhe që në të gjitha rastet ka probleme të tilla të nxjerrjes së ekspertizave e problemi i dyte që qëndron në praktike kur palët nuk pajtohen me këtë ekspertizë dhe duhet një super ekspertizë apo ekspertizë e re e kërkohen jashtë Kosovës”, ka deklaruar  Florim Shefqeti- Avokat.

Një tjetër rast që vazhdon të jetë i pa zbardhur është vdekja e 27 vjeçarit, Agon Zejnullahu, që dyshohet që vdiq pasi u arrestua nga zyrtarë policor në korrik të këtij viti. Kjo për shkak të mos përfundimit të raportit të autopsisë që pritet të zbulojë shkakun e vdekjes së tij që ndodhi në korrik të këtij viti.

Muaj më parë, IML-ja kishte thënë se Laboratori i Toksikologjisë është jashtë funksionit për shkak të procesit të renovimit në te gjitha hapësirat e brendshme të objektit të IML-së, përfshirë dhe hapësiren e Laboratoreve, por që pas përfundimit të renovimit do kthehet në funksion./dukagjini