FSK-ja evakuon dy familje në Xerxë të Rahovecit

FSK-ja evakuon dy familje në Xerxë të Rahovecit

Aktuale January 07, 2026 - 15:45

Reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze për disa familje në komunën e Rahovecit, të cilat si pasojë e përmbytjeve kanë mbetur të ngujuara në shtëpitë e tyre.

Sot, në bashkëpunim me trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), është realizuar me sukses evakuimi i dy familjeve në fshatin Xërxë, duke u siguruar dalja e tyre e sigurt nga zonat e rrezikuara.

Pas evakuimit, për gjendjen shëndetësore të qytetarëve të evakuuar është kujdesur stafi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Rahovec, i cili ka ofruar ndihmën e parë mjekësore në vend. Disa prej tyre janë dërguar edhe për trajtim të mëtejshëm mjekësor, për shkak të gjendjes shëndetësore.

Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet në rast të reshjeve të vazhdueshme, ndërsa ekipet emergjente mbeten në gatishmëri për të reaguar në raste të tjera të nevojës./Zëri