Reduktime të ujit në Fushë-Kosovë, Obiliq dhe pjesë të Prishtinës për shkak të turbullirave në Ibër-Lepenc

Reduktime të ujit në Fushë-Kosovë, Obiliq dhe pjesë të Prishtinës për shkak të turbullirave në Ibër-Lepenc

Aktuale January 07, 2026 - 10:36

Për shkak të turbullirave të larta në kanalin Ibër-Lepenc, të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut, Impianti i Trajtimit të Ujit (ITU) në Shkabaj ka dalë jashtë funksionit, duke ndikuar në furnizimin me ujë të pijshëm.

Sipas njoftimit nga KRU “Prishtina”, nga ora 10:30 deri në 17:00 priten reduktime në furnizimin me ujë në këto zona: Fushë-Kosovë, Obiliq, si dhe një pjesë e lagjes “Kalabria” në Prishtinë.

Sipas njoftimit, këto zona do të furnizohen me ujë në intervalin kohor nga ora 17:00 deri në 22:00.

Po ashtu, është paralajmëruar se ndikime të mundshme në furnizim mund të ketë edhe në zona të tjera të kryeqytetit.

“Ekipet teknike janë në terren dhe po e monitorojnë situatën në vazhdimësi, ndërsa furnizimi normal do të rikthehet sapo të stabilizohen parametrat e ujit. Ndërkohë, impiantet ITU Albanik dhe Badoc janë duke trajtuar ujë me kapacitet maksimal për të zbutur pasojat për konsumatorët”, thuhet në njoftim.

Qytetarëve u rekomandohet përdorim i kujdesshëm i ujit deri në normalizimin e plotë të gjendjes. /Zëri