Kurti uron komunitetin serb për Krishtlindje: Le të na bashkojë e mira
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka uruar qytetarët nga komuniteti serb të besimit ortodoks me rastin e Krishtlindjes, e cila festohet sot.
Përmes një mesazhi urimi, Kurti ka shprehur dëshirat e tij për dashuri, mbarësi dhe begati në familjet e qytetarëve që e kremtojnë këtë festë të shenjtë, duke theksuar rëndësinë e harmonisë, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë.
“Le të na bashkojë e mira. Le të na udhëheqë vullneti për solidaritet dhe punë për më shumë mirëqenie”, ka shkruar Kurti, duke uruar që Krishtlindja t’i gjejë qytetarët pranë familjes, në shëndet dhe gëzim.
Urimi i kryeministrit vjen në kuadër të mesazheve institucionale për festat fetare, duke përcjellë thirrje për bashkëjetesë dhe respekt ndërmjet komuniteteve në Kosovë. /Zëri