Presidentja Osmani kërkon vigjilencë nga qytetarët: FSK-ja e gatshme për mbështetje nëse ka nevojë

Presidentja Osmani kërkon vigjilencë nga qytetarët: FSK-ja e gatshme për mbështetje nëse ka nevojë

Aktuale January 06, 2026 - 18:43

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka dalë me reagim për gjendjen me vërshime në disa pjesë të vendit.

“Mirënjohje e thellë për të gjitha institucionet dhe qytetarët që, përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve të sotme, po reagojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet në mbrojtjen e jetës dhe pronës.

Sot gjatë ditës kam qenë në komunikim me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren në koordinim të ngushtë dhe me mbështetjen e institucioneve qendrore.

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po punon pareshtur bashkë me organet e rendit. Falënderoj edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për gatishmërinë e plotë për ofrimin e mbështetjes së menjëhershme, duke vënë në dispozicion kapacitetet e saj njerëzore dhe logjistike, nëse paraqitet nevoja.

Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente. Bashkëpunimi i ngushtë dhe reagimi profesional mbeten vendimtare për përballimin me sukses të kësaj situate.”