20 familje në Drenas largohen nga shtëpitë, Lladrovci: Do të na vijnë në ndihmë edhe njësitet e AME-së
Njëzet familje në komunën e Drenasit janë evakuuar, pasi janë rrezikuar nga uji si shkak i reshjeve të mëdha të shiut.
Kryetar i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se veç përpjekjeve për të ruajtur jetën e njerëzve, po tentohet të mbrohet edhe nënstacioni i energjisë elektrike, e cila është rrezikuar nga uji.
Ai u kërkoi qytetarëve të mos kalojnë rrugëve, për të cilat është paralajmëruar se janë vështirë të kalueshme e të mos pengohen njësitet nëse veç nuk munden t’u dalin në ndihmë.
“Në komunën tonë ka reshje të mëdha prej mesnatës. Ne po provojmë të bëjmë më të mirën. Sigurisht që shumë rrugë janë të vërshuar nga uji. Kemi bërë njoftimet, i lusim qytetarët se aty ku kemi thënë se nuk mund të kalohen, mos të vijnë me na pengu më shumë në qoftë se nuk munden me na ndihmua, mos të na pengojnë. Njësitet e zjarrfikësve i kanë largu mbi 20 familje të cilat janë rrezikuar nga uji. Rrezikun më të madh e kemi në këtë pikë ku po shihini që është edhe trafostacioni i Komunës sonë që ne e kemi ndalë energjinë elektrike në gjithë territorin e Drenasit. U premtojmë qytetarëve që do ta ruajmë këtë trafostacion ë është edhe jetik për qytetarët, sapo të largohet uji, njësitet e KEDS janë të gatshëm me lëshu energjinë elektrike”, tha ai, raporton EO.
Lladrovci thotë të ketë biseduar edhe me ministrin në detyrë të Pushteti Lokal nga i cili ka marrë premtimin se do t’i nisin njësitet e Agjencisë së Mbrojtjes dhe Emergjencave që t’u dalin në ndihmë.
Lladrovci tregoi që banorët janë duke ndihmuar me traktorë e me xhipa, e ku kanë bërë edhe largimin e disa veturave që ishin mbuluar nga uji.
“Falënderoj edhe shumë qytetarët që po na ndihmojnë me traktorë e me xhipa. Kanë qenë shumë vetura të bllokuara se u kanë hy uji. Presim që të na vijnë AME nga niveli qendror kam pas komunikim edhe me ministrin e Pushtetit Lokal që na ka premtua që i kanë nisë njësitet e AME. Por e rëndësishëm është me i shpëtua jetët e njerëzve dhe me ruajt trafo stacionin”, tha ndër të tjera ai.
E aty ku janë shkaktuar dëme si shkak i mbylljes së rrjedhave atmosferike, Lladrovci paralajmëroi se do të ndërmerren masa nga Inspektorati.
“Kemi shumë fshatra. Pokleku i ri dhe janë më të rrezikuara për shkak edhe të ndërtimit nën nivel të ujit, nën nivelin e lumit, por edhe për shkak të mbylljes së shumë rrjedhave atmosferike që qytetarët e pakujdesshëm i kanë mbyllur. Dhe aty ku vijnë dëmet nga dora e njeriut, njësitet tona, inspektorati do t’i ndjekë dhe do t’i gjobisim, apo dënojmë ata që kanë bërë dëme dhe në kuadër të dëmeve të tyre kanë pësuar edhe ekonomitë familjare”, deklaroi Lladrovci.