Kadiu: Bislimi s’ka pasur kurrë takim të fshehtë me Gjuriqin në Zvicër

Kadiu: Bislimi s’ka pasur kurrë takim të fshehtë me Gjuriqin në Zvicër

Aktuale January 06, 2026 - 12:58

Gazeta zvicerane “Neue Zurcher Zeitung” gjatë ditës së sotme ka shkruar rreth një takimi të kryenegociatorit kosovar Bisnik Bislimi dhe kryediplomatit serb, Marko Gjuriq, në Zvicër, në një takim joformal që është organizuar nga shteti helvetik.

Por këshilltari i Besnik Bislimit, Klisman Kadiu, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se nuk ka pasur kurrfarë takimi të fshehtë në mes të Bislimit dhe Gjuriqit, shkruan Zeri.info.

Kadiu e ka sqaruar tërë situatën.

“Por këto takime nuk janë ‘të fshehta’. Zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator në këtë mandat, në procesin e dialogut, nuk ka pasur takime ‘të fshehta’, e aq më pak me Marko Gjuriqin. Në njërin nga këto takime në Zvicër, ka qenë i ftuar si folës edhe zëvendëskryeministri por në atë takim nuk ka qenë pjesëmarrës Gjuriqi. Pra zëvendëskryeministri Bislimi nuk ka pasur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriqin dhe kurrë nuk e ka takuar atë”, ka shkruar Kadiu.

Reagimi i plotë i Kadiut, pa ndërhyrje:

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i gjerë dhe përfshin shumë akterë ndërmjetësues. Krahas BE-së, ka edhe vende partnere e mike, të cilat organizojnë iniciativa të ndryshme për ndërmjetësim mes palëve. E tillë është edhe Zvicra, që e bën këtë përmes Departamentit për Punë të Jashtme, dhe organizon çdo vit takime me shoqëri civile, ekspertë, politikanë dhe qeveritarë nga të dy shtetet. Shprehim mirënjohjen ndaj Zvicrës për angazhimin dhe përkushtimin e saj.

Por këto takime nuk janë "të fshehta". Zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator në këtë mandat, në procesin e dialogut, nuk ka pasur takime "të fshehta", e aq më pak me Marko Gjuriq. Në njërin nga këto takime në Zvicër, ka qenë i ftuar si folës edhe zëvendëskryeministri por në atë takim nuk ka qenë pjesëmarrës Gjuriq. Pra Zëvendëskryeministri Bislimi, nuk ka pasur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriq dhe kurrë nuk e ka takuar atë. /Zëri