Situatë e rënduar nga vërshimet në Drenas, uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese
Situata në Komunën e Drenasit është rënduar ndjeshëm si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve përgjatë lumit Drenica. Sipas njoftimit zyrtar të komunës, uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë bërë të pakalueshme.
Autoritetet bëjnë të ditur se disa familje janë evakuar për shkak të rrezikut nga vërshimet, ndërkohë që në disa zona është ndërprerë edhe furnizimi me energji elektrike.
Rrugët më të prekura janë ajo nga Drenasi drejt Komoranit, në zonën e njohur si “Trafoja”, si dhe rruga nga Feronikeli drejt Kronit të Mbretit, të cilat aktualisht janë të bllokuara. Niveli i lartë i ujit është evidentuar gjithashtu në Komoran, Çikatovë të Vjetër dhe në disa lagje të komunës.
Kalimi nga qyteti i Drenasit drejt magjistrales aktualisht realizohet përmes rrugëve alternative Shtrubullovë–Krajkovë–Llapushnik, si dhe Drenas–Damanek–Krajkovë–Llapushnik.
Për arsye sigurie, Komuna e Drenasit u bën thirrje qytetarëve që të shmangin daljet e panevojshme nga shtëpitë dhe të mos lëvizin në zonat e rrezikuara, derisa gjendja të stabilizohet.
Në këtë situatë të vështirë, autoritetet lokale kanë falënderuar qytetarët me automjete private që kanë ndihmuar ekipet në terren për përballimin e gjendjes.
Ekipet kompetente janë në terren dhe po punojnë për të lehtësuar situatën, duke monitoruar vazhdimisht gjendjen. Nga komuna bëhet e ditur se çdo informacion shtesë do të publikohet me kohë./Zëri