Shtrenjtimi i faturave, KRU “Prishtina” publikon urdhëresën tarifore të shërbimeve të ujit
Foto: Laura Hasani

Shtrenjtimi i faturave, KRU “Prishtina” publikon urdhëresën tarifore të shërbimeve të ujit

Aktuale January 05, 2026 - 14:17
KRU “Prishtina” publikon tarifat e reja me rritje për ujin

Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” ka publikuar urdhëresën tarifore për vitin 2026 për rajonin e Prishtinës sa u përket tarifave të reja që kanë hyrë në fuqi nga 1 janari.

KRU “Prishtina” thotë se tarifat caktohen për “shërbimet e ujësjellësit dhe të ujërave të ndotura; furnizimin me ujë të patrajtuar me shumicë; ujin e trajtuar me shumicë”.

KRU “Prishtina” shton se “tarifa llogaritet duke pjesëtuar kërkesën për të ardhura me vëllimin e ujit të shitur, duke marrë parasysh efikasitetin në arkëtimin e të ardhurave. Kërkesa për të ardhura përbëhet nga tre komponentë kryesorë: shpenzimet operative, mirëmbajtja kapitale dhe kthimi në Bazën Rregullatore të Aseteve.

KRU “Prishtina” thotë se ka paraqitur kërkesa për periudhën 2026–2028, të cilat përfshijnë:

– Shpenzime operative për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me ujë dhe shërbimeve të kanalizimit, duke përfshirë rritjen e kostove për personelin dhe energjinë elektrike;

– Projekte kapitale dhe mirëmbajtje të rrjetit dhe makinerive ekzistuese, për të reduktuar defektet dhe ndërprerjet në shërbim;

– Investime për modernizimin e aseteve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për konsumatorët.

“Edhe me tarifat e aprovuara, KRU ‘Prishtina’ mbetet e përkushtuar të ofrojë shërbime të qëndrueshme, cilësore dhe pa ndërprerje për qytetarët”.