Problem në gypin kryesor, disa lagje të Prishtinës pa ujë
Foto: Zëri / Ilustrim

Problem në gypin kryesor, disa lagje të Prishtinës pa ujë

Aktuale January 05, 2026 - 10:31

Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar për një ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona, si pasojë e një rrjedhjeje në gypin kryesor me diametër DN 250 mm, në rrugën “Arbanasi”.

Sipas njoftimit, pa furnizim me ujë kanë mbetur këto zona: një pjesë e Hajvalisë, Veterniku (pjesa prapa fabrikës “Gorenje”), lagjja “Qëndresa”, konsumatorët në pjesën prapa “Grand Store”, si dhe zona në drejtim të Rezonancës – lagjja “Premium”.

Nga KRU “Prishtina” bëjnë të ditur se ekipet teknike kanë dalë në terren dhe janë duke punuar intensivisht në sanimin e defektit, me qëllim të rikthimit të furnizimit me ujë në kohën më të shkurtër të mundshme.