I ra bombola e gazit lotsjellës në kokë, momenti kur Lapaj mbërrin në Spitalin e Traumës

I ra bombola e gazit lotsjellës në kokë, momenti kur Lapaj mbërrin në Spitalin e Traumës

Aktuale January 05, 2026 - 09:43

Forcat e policisë kanë ndërhyrë në orët e vona të mbrëmjes së të dielës për të larguar me forcë aktivistët e “Shqipëria Bëhet” nga vendi ku prej rreth një muaji po zhvillonin protestën, para godinës së Kryeministrisë.

Policia ka marrë me automjet karriget, batanijet dhe disa soba më gaz të cilat shërbenin për t’u ngrohur aktivistët, të cilët qëndronin para godinës së Kryeministrisë.

Gjatë ndërhyrjes është lënduar edhe kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj. Dyshohet se Lapajt është lënduar në kokë nga një prej bombolave të gazit gjatë aksionit të policisë.

Aktivistët dhe policia kanë njoftuar ambulancën, e cila e ka transportuar atë me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e parë.

Aktivistë të Shqipëria Bëhet thanë se disa protestues që ishin para kryeministrisë janë shoqëruar nga policia. Mes aktivistëve dhe policisë ka pasur shpesh herë përplasje lidhur me vendosjen e çadrave dhe sendeve të tjera në sheshin kryesor para godinës qeveritare. Disa herë policia ka hequr nga sheshi çadrat dhe gjeneratorët që përdoreshin për energji dhe ngrohje nga protestuesit.

Që prej datës 8 dhjetor, “Shqipëria Bëhet” kishte nisur një protestë pa ndërprerje para godinës së Kryeministrisë.

Paraditen e së dielës, “Shqipëria bëhet” zhvilloi tubimin e radhës ku nuk munguan tensionet dhe përplasjes me forcat e rendit. /euronews