Deri në tri orë pritje për të dalë nga Kosova
Kthimi i bashkatdhetarëve nëpër vendet evropiane ku ata jetojnë dhe veprojnë ka shkaktuar kolona e pritje të gjata nëpër pikat kufitare në dalje të Kosovës.
Në përditësimet e fundit që ka bërë Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK), në orën 08:29, bëhet e ditur se pritje më të mëdha ka në pikën kufitare të Merdarit dhe te Dheu i Bardhë, shkruan Zeri.info.
Në Merdar qytetarët janë duke pritur deri në tri orë, përderisa kolona është e gjatë deri në 3.5 kilometra.
Pritje ka edhe të Dheu i Bardhë. Atje qytetarët po presin deri në dy orë për të dalë nga Kosova, kurse kolona ka arritur deri në 800 metra.
Edhe në Jarinjë pritja është deri në një orë, ndërkaq në Mutivodë deri në 40 minuta.
Sipas QKMK-së, nëpër të gjitha pikat e tjera kufitare si në hyrje ashtu edhe në dalje të Kosovës, pritja nuk është më e madhe se 10 minuta, pritje kjo që është normale.
KËTU mund t’i shikoni në kohë reale përditësimet që bëhen nga QKMK-ja. /Zëri
