Vuçiqi kritikon arrestimin e Maduron nga SHBA-ja, Haradinaj: Armiqtë e Amerikës janë miqtë e Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kritikuar të dielën arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke deklaruar se rendi juridik ndërkombëtar dhe Karta e Kombeve të Bashkuara “nuk funksionojnë më”.
Duke folur për media në Beograd, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, Vuçiq tha se në politikën globale sot mbizotëron “ligji i forcës”.
“Në botë sot mbizotëron ligji i forcës, ligji i të fortit. Ky është i vetmi parim i politikës bashkëkohore që ekziston sot në botë”, deklaroi Vuçiq.
Shtetet e Bashkuara arrestuan Maduron dhe bashkëshorten e tij gjatë një operacioni të shpejtë të shtunën në mëngjes, ndërsa njëkohësisht ndërmorën sulme ajrore në disa lokacione, duke tronditur kryeqytetin Karakas.
Ndaj deklaratave të Vuçiqit ka reaguar ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj.
Përmes një postimi në platformën “X”, Haradinaj ka theksuar se rendi ndërkombëtar forcohet vetëm atëherë kur regjimet që shkelin sovranitetin e shteteve, shtypin demokracinë dhe eksportojnë paqëndrueshmëri përballen me përgjegjësi, e jo kur mbrohen.
“Armiqtë më të këqij të Amerikës, miqtë më të afërt të Serbisë. Rendi ndërkombëtar përforcohet kur përballen, jo mbrohen, regjimet që shkelin sovranitetin, shtypin demokracinë dhe eksportojnë paqëndrueshmëri”, ka shkruar Haradinaj.
Një nga argumentet kryesore për forcimin e bashkëpunimit me Venezuelën, të cilat i kanë paraqitur zyrtarët serbë, është fakti se Venezuela nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Në inaugurimin e Maduros si president në janar të vitit të kaluar mori pjesë kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, duke nxitur kritika nga Brukseli.
Në vitin 2023, Serbia dhe Venezuela nënshkruan marrëveshje për heqjen e vizave dhe paralajmëruan hapjen e ambasadës serbe në këtë vend, i cili kufizohet me Kolumbinë, Brazilin dhe Guajanën.
Regjimi venezuelian ndodhet nën sanksione nga Bashkimi Evropian, anëtarësimit të të cilit Serbia i synon, si dhe nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja.
