Dyshimet për substancë të rrezikshme në kafe
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar për dyshime të nivelit të lartë të akrilamidit në kafen e bluar “Caffe Monaco”, përmes sistemit RASFF, duke ndërmarrë veprime sipas ligjit. "Devolli Corporation" ka sqaruar për RTK-në se produkti nuk lidhet me “Princ Kafe”, nuk është në tregun e Kosovës dhe se bëhet fjalë për një dërgesë të vetme të brendit Monaco për Kroacinë.
Sipas njoftimit të AUV-it, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë (RASFF), është raportuar prania e akrilamidit në kafe të bluar. Në njoftim thuhet se bëhet fjalë për produktin “Caffe Monaco” 400 gr, me origjinë nga Kosova dhe eksportues DEVOLLI Corporation.
Agjencia bën të ditur se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me legjislacionin në fuqi. Po ashtu, AUV thekson se vazhdon ta monitorojë situatën me kujdes të shtuar dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me bizneset, për të garantuar ushqim të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane.
Televizioni ka kontaktuar kompaninë "Devolli Corporation" lidhur me produktin në fjalë.
Në një përgjigje me shkrim, kompania sqaron se produkti i përmendur nuk ka asnjë lidhje me produktet e brendit “Princ Kafe”. Sa i përket shpërndarjes, thuhet se ky produkt nuk gjendet në tregun e Kosovës dhe as në ndonjë treg tjetër përveç Kroacisë, ndërsa përgjegjësia për brendin “Monaco” i takon pronarit të këtij brendi. Kompania tutje sqaron se rasti i raportuar ka të bëjë vetëm me një dërgesë të vetme, në sasi mbi 12 mijë kilogramë, e cila është prodhuar sipas recetës dhe kërkesës specifike të blerësit nga Kroacia, nën brendin e tyre tregtar Monaco, i cili është privat label dhe ka recetë, përbërje dhe shije të ndryshme nga produktet e Princ Kafe. Tutje kjo kompani thekson se me brendin e saj Princ Kafe nuk ka pasur raste të mëhershme as me këtë substancë dhe as me substanca të tjera. Sipas tyre, brendi qe posedojnë është i pranishëm në tregjet evropiane dhe kompania mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, sigurisë ushqimore dhe informimit korrekt të publikut, thuhet në përgjigjen e tyre.