Arsimi në bllokadë, në sytë e ekspertëve viti 2025 kaloi pa ndonjë ndryshim
“Është një vit i humbur pa fajin tonë…”.
“Nuk ka ndonjë ndryshim as këtë vit…”.
“Në kushte të tilla nuk ka mundur të bëhet shumë për sektorin e arsimit…”.
365 ditë të vitit 2025, po cilësohen pa ndonjë ndryshim të rëndësishëm në fushën e arsimit.
Çështja e librave, pagave, paralajmërimet për greva e protesta e sfida të tjera ishin ato të cilat përcollën edhe vitin që po e lëmë pas.
Mungesa e institucioneve nuk iu solli zgjidhje shumë ankesave të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.
“Sfidat tona kanë qenë se nuk kemi pasur me kenë të dialogojmë dhe në fund nuk kemi pasur kujt të i bëjmë protesta dhe greva, ngase ligji për greva thotë se duhet të shfrytëzohet të gjitha rrugët e dialogut por ne nuk kemi pasur me kë të dialogojmë ngase nuk kishte parlament, ngase nuk kishte as qeveri të mirëfilltë”, tregon Rrahman Jashari nga SBAShK-u.
Mos njohja si vite kontribut dhënëse puna gjatë viteve të 90-ta vazhdon të jetë një shqetësim i tyre.
Por jo vetëm kjo, mësuesit vazhdon të jenë të pakënaqur me pagat që marrin.
“Pastaj kemi pasur kërkesë për ngritje të pagash pasi jemi mbetur keq karashi shteteve që na rrethojnë kemi pasur sfidën me të madhe që është kontratën kolektive, jemi nga vendet e rralla që nuk kemi marrëveshje kolektive ndërmjet BSPK-së, Qeverisë dhe Odave…”, tha ai.
Për herë të tretë, edhe këtë vit u bë zhurmë për çështjen e subvencionimit të teksteve shkollore.
MASHTI edhe kësaj radhe vendosi të subvencionojë prindërit për blerjen e teksteve shkollore, derisa masat u shtrënguan për ata të cilët herën e kaluar morën paratë ndonëse nuk jetonin në Kosovë.
Kjo përmes vendosjes së koordinatorëve të cilët kontrollin secilin aplikimi që bëhet në shkollat përkatës.
Por nga SBASHK-u nuk ishin të kënaqur më këtë formë të furnizimit të librave shkollor meqenëse sipas tyre kjo krijonte tollovi nëpër shkolla.
Edhe sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, gjatë këtij viti nuk u bë ndonjë përparim në fushën e arsimit.
“Nuk ka ndonjë ndryshim as këtë vit, vazhdon i njëjti debat me të njetat probleme me të cilat përballet sektori në të gjitha nivelet në mungesë të Kuvednit edhe plani legjislativ i supozuar me ato ligje per tu miratuar as nuk i ka ardhur rendi, kështu shumë ligje si ato për tekstet shkollore dhe ligji per arsimin e lartë të gjitha kanë mbetur peng”, tregoi Qehaja.
Gjatë këtij viti është evidentuar sërish zvogëlimi i numrit të nxënësve në shkollat e Kosovës.
Ish-zëvendësministri i arsimit, Dukagjin Pupovci, ka disa kritika në lidhje me mos-krijimin e një plani që klasat të mos jenë me pak nxënës.
“Nga ana tjetër mund të thuhet se ka pasur zvogëlim të numrit të nxënësve , numri i nxënësve në Kosovë zvogëlohet nga 10 mijë në çdo vit, gjë e cila ka ndodhur edhe në vitin 2025, por nuk ka pasur racionalizim të rrjetit të shkollave dhe si rezultat i kësaj ne vazhdojmë të kemi numër të konsiderueshëm të shkollave me pak nxënës dhe klasa me pak nxënës që ndikojnë negativisht në cilësinë e arsimit”, tha Pupovci.
Nxënësit në Kosovë gjatë këtij viti iu nënshtruan testit ndërkombëtar të PISA-së, rezultatet e të cilit pritet të publikohen në vitin e ardhshëm.
Ndërsa sipas Pupovcit, as në vitin 2025 nuk janë zbatuar rekomandimet e dala nga rezultatet e PISA 2022.
Mungesa e pajisjeve digjitale në shkollat e Kosovës vazhdon të jetë e evidentuar.
Por gjatë këtij viti u bënë disa përmirësimi sa i përket ndërtimit të çerdheve.
“Ka vazhduar ndërtimi i kopshteve publike, dhe pa dyshim që shtimi i numrit të kopshteve publike do ta shtojë edhe pjesëmarrjen në arsimin parauniversitar rrjedhimisht në arsimin parashkollor, por nuk mund të presim që kjo të ketë një efekt aq të madh, sepse nevoja është shumë më e madhe se sa ajo që po ndërtohet”, tha ai.
Anëtarësimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim në Regjistrin e Evropian për Sigurimin e Cilësisë në ENQAR është një sukses i Kosovës.
Por sipas ekspertit te arsimit , mos përshtatja e drejtimeve në arsimin e lartë me tregun e punës vazhdon të jetë e theksuar në Kosovë.
“I kemi tetë institucione publike ku shumë prej tyre kanë programe të njëjta ndërkaq numri i studentëve është duke u zvogëluar në mënyrë rapide, prandaj edhe këto institucione do të kenë nevojë për një reformim rrënjësore në mënyrë që oferta e tyre të i përshtate interesimit të zvogëluar por edhe të përshtatet kërkesës për profile të caktuara të mos i kemi për shembull pesë fakultet juridike dhe pesë fakultete ekonomike vetëm në sektorin publik”.
Për këtë kërkohen reforma në sektorin e arsimit.
“Kryesorja në gjykimin tonë është një përkrahje e rritur për komunitetin mësimdhënësve, pra mësimdhënësit duhet të përkrahen në ngritje profesionale dhe zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe në të njëjtën kohë të njëjtëve të u kërkohet llogaridhënie. Pra bashkë me një mbikëqyrje të vazhdueshme të punës së tyre të vije edhe një përkrahje e vazhdueshme për një përformancë me të mirë”, thotë Qehaja.
Ndërsa nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit kërkojnë që Qeveria e ardhshme të jetë më bashkëpunuese me ta, ose në të kundërtën do të ndërmarrin veprime sindikale duke përfshirë këtu protesta dhe greva.