“Sikur e ndjente që do të ishte takimi i fundit”, djali i rreshterit Afrim Bunjaku rrëfen çastet e fundit me babanë e tij
Foto: Laura Hasani

“Sikur e ndjente që do të ishte takimi i fundit”, djali i rreshterit Afrim Bunjaku rrëfen çastet e fundit me babanë e tij

Aktuale January 02, 2026 - 08:50

Mëngjesin e 24 shtatorit të 2023-s, Kosova u trondit me një ngjarje tragjike ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, në një sulm nga një grup i organizuar terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Polici Afrim Bunjaku ra dëshmor në krye të detyrës gjatë një sulmi të armatosur nga serbët në veri të vendit, teksa po përmbushte misionin e tij për mbrojtjen e rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.

Rënia e tij nuk la pas vetëm dhimbje kombëtare, por një plagë të thellë në zemrën e familjes, veçanërisht të djali i tij, Jetlum Bunjaku i cili për herë të parë rrëfen publikisht momentet e fundit me babanë dhe çastin kur jeta e tij ndryshoi përgjithmonë.

Dita e fundit e jetës së policit Afrim Bunjaku nisi si çdo ditë tjetër pune, me përgjegjësi dhe përkushtim ndaj uniformës që e kishte veshur për vite me radhë.

Askush nuk e dinte se ajo do të ishte dita e fundit e tij, për familjen ajo mbeti dita më e dhimbshme, ndërsa për Kosovën dita kur humbi një nga mbrojtësit e saj.

Më 23 shtator, një ditë para ngjarjes tragjike ishte vetë Jetlumi ai që e përcolli babanë drejt detyrës së tij.

“Një ditë para ngjarjes, me datën 23 shtator, e dërgova për në punë me veturën tonë personale nga fshati ku jetojmë, fshati Samadrexhë, deri te pompa e derivateve Elan Petrol- Pestovë, ku isha edhe i punësuar. Pastaj vazhdoi rrugën me veturën e kolegëve të tij për në stacionin në Vushtrri dhe për të vazhduar rrugën me veturën zyrtare për në veri”, shpjegoi Bunjaku.

Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë kujtim është ndjenja se Afrim Bunjaku sikur e kishte parandjerë lamtumirën e fundit.

“Gjatë rrugës për në punë, sikur e ndjente që do të ishte takimi i fundit gjatë gjithë rrugës duke më folur dhe këshilluar”, rrëfeu për “FronOnline”, Jetlum Bunjaku.

Jetlumi ka rrëfyer momentin e lajmit që babai i tij ra dëshmor.

“Ditën tjetër pritja që t’ia dorëzoja veturën dhe të filloja orarin e punës në pompën ku punoja, në orën 7:30 të mëngjesit. Dëgjova një zhurmë jashtë shtëpisë, shtëpia ishte e rrethuar me polici dhe familjarë. Aty mora lajmin se babai im ra dëshmor”, ka thënë Bunjaku.

Djali i dëshmorit Afrim Bunjaku: Emri i babait tim ka qenë dhe mbetet krenaria ime më e madhe

Image

Në një rrëfim të mbushur me emocione, djali i dëshmorit, Afrim Bunjaku, Jetlumi e përshkruan babanë e tij jo vetëm si hero të Kosovës, por mbi të gjitha si baba të përkushtuar, njeri të qetë dhe shembull dashurie e ndershmërie.

Sipas tij, emri i babait kishte qenë gjithmonë burim krenarie, pasi gjatë gjithë jetës njihej dhe respektohej si djali i Afrim Bunjakut.

Ai rrëfen se këshillat e babait kanë qenë të vazhdueshme duke e inkurajuar që të mos heqë dorë nga shkollimi.

“Babin tim e kujtoj si njeri të qetë dhe të dashur, jo vetëm për familjen, por edhe për rrethin. Sa ishte gjallë, gëzoja respekt të madh në emër të tij si djali i Afrimit, por edhe tash si hero i Kosovës. Këshillat e tij gjithmonë kanë qenë që të vazhdoj shkollën dhe rrugën e tij si një njeri i ndershëm dhe me karakter”, ka rrëfyer Bunjaku.

Jetlum Bunjaku: Babai im nuk jetoi vetëm për veten, por edhe për të mirën e të tjerëve

Dhimbja për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku mbetet e madhe për familjen e tij, por kujtimi dhe vepra e tij vazhdojnë të jetojnë përtej mungesës fizike.

Djali i tij, Jetlum Bunjaku në këtë rrëfim, thotë se babai i tij është i pranishëm çdo ditë në jetën e tyre përmes kujtimeve, vlerave dhe emrit që la pas.

“Edhe pse sot ai nuk është më fizikisht me ne, kujtimi i tij mbetet i gjallë në çdo hap të jetës sonë. Ne e mbajmë mend buzëqeshjen, qetësinë, fjalët që na jepnin forcë dhe mënyrën se si e shikonte familjen me dashuri dhe krenari”, shprehet Jetlum Bunjaku.

Sipas tij, babai nuk jetoi vetëm për familjen por për shoqërinë në tërësi.

“Babi im la pas një emër që përmendet me respekt, sepse ai nuk jetoi vetëm për veten ai jetoi për të mirën e të tjerëve”, ka thënë ai.

Djali i rreshterit Afrim Bunjaku: Të mos harrohet historia e dëshmorëve që na dhanë lirinë

Image

Humbja e rreshterit Afrim Bunjaku la një boshllëk të madh në familjen dhe shoqërinë kosovare.

Djali i tij, Jetlum Bunjaku rrëfen se përkrahja e vazhdueshme nga institucionet dhe qytetarët ka ndihmuar familjen të përballojë dhimbjen e madhe.

“Gjatë gjithë kësaj kohe kemi pasur përkrahje nga të gjithë, si dhe nga institucionet, po ashtu edhe nga shoqëria”, shpjegoi Bunjaku.

Jetlumi, djali i Afrim Bunjakut në fund të rrëfimit dha një këshillë për mos t’i harruar asnjëherë dëshmoret.

“Dëshira dhe këshilla ime e vetme është që të mos harrohet historia e dëshmorëve dhe veprat e tyre, që na mundësuan sot të jemi të lirë”, përfundoi Jetlum Bunjaku për “Front Online”.

Ndër të parët që reaguan dhe dënuan ashpër sulmin në Banjskë ishte Ambasada Amerikane, e cila kërkoi që autorët të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë. Kërkesa e saj u përsërit edhe nga UNMIK, OSBE, KFOR, EULEX, si dhe nga Gjermania, Britania, Italia, Zyra e Bashkimit Evropian, Austria, Kroacia, Turqia dhe vende të tjera.

Dita e hënë, 25 shtator 2023, u shpall ditë zie shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, të cilit presidentja i akordoi postmortum urdhrin “Hero i kombit”.

Rreshteri u varros me nderime të larta, duke u nderuar për shërbimin dhe sakrificën e tij.

Një ditë pas sulmit, Policia e Kosovës prezantoi arsenalin e armëve, uniformave dhe pajisjeve logjistike të konfiskuara në Banjskë të Zveçanit. Në ditët në vazhdim, armë dhe pajisje të tjera ushtarake u sekuestruan edhe në veri, ku u kryen bastisje në disa lokacione.

Aktakuza u ngrit më 11 shtator 2024, 13 ditë para përvjetorit të parë të sulmit.