Haziri: Është koha e fundit për reflektim të thellë – pragmatizmi, që ishte sinonim i LDK-së, humbi
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se 2025-ta do të mbahet mend si vit i zgjedhjeve, pasi siç u shpreh, kaluam tre procese zgjedhore dhe katër herë votuam.
Ai tha se LDK nuk arriti t’i kapitalizojë në mënyrën më të mirë zgjedhjet e 28 dhjetorit, përballë siç tha “popullizmit të paparë ndonjëherë, presionit e frikës së mbjellur”.
“Ndonëse pritjet ishin tjera, LDK nuk arriti t’i kapitalizojë në mënyrën më të mirë zgjedhjet e 28 dhjetorit, përballë popullizmit të paparë ndonjëherë, presionit e frikës së mbjellur. LDK ka dalluar gjithmonë prej të tjerëve. Edhe kur armiqtë thërrisnin për luftë, ne ftuam për paqe; kur rivalët ju ftonin në garën e pështymës, ne ftuam për bashkëpunim; kur të tjerët ju braktisën, ne qëndruam me ju, sepse masat qytetare duhet të udhëhiqen drejt normalitetit, e jo në errësirën politike”, u shpreh ai.
Haziri shkroi në Facebook se është koha e fundit për reflektim të thellë dhe se pragmatizmi, që ishte sinonim i LDK-së, sipas tij, humbi.
“Sot është koha e fundit për reflektim të thellë. Pragmatizmi, që ishte sinonim i LDK-së, humbi. Ky ishte edhe shqetësimi im, të cilin e kam shpërfaqur publikisht disa herë. Mos kërko vullnet të mirë aty ku nuk ka e nuk gjen! Unë e njoh mirë LDK-në sepse për 36 vite më ka dhënë idealet për kombin, besim në Republikën, dashni e përkushtim”.
“Edhe në ditët më të mira e edhe në ditët më të rënda, unë i qëndrova besnik partisë që Republikës i dha formë, besim e shpresë. I tillë do të vazhdoj të jem gjithmonë, sepse jam rritur afër njerëzve që përmes librave na mësuan se si duhet atdheu”, tha ai.
Haziri shtoi se LDK mbetet gjithmonë shtëpi e përbashkët, mbetet siç tha, parti që jep dije, përkushtim e dashni.
“Mbi të gjitha, Ibrahim Rugova, prijësi ynë i urtë e i butë, na ka mësuar që ta duam dhe ta ruajmë njëri-tjetrin edhe në dallime. Na e ka dhënë mësimin e madh që të mos marrim pjesë në garën e pështymës dhe rivalët politikë të mos i konsiderojmë kurrë armiq. Ndonëse LDK doli me këtë rezultat të pafavorshëm, unë gjej rastin që t’ju falënderoj nga fundi i zemrës të gjithëve për kaq besim sa na keni dhënë”.
“Ndërkaq, në prag të ndërrimit të motmoteve, uroj nga zemra që 2026-ta të jetë vit më i mirë për të gjithë, që të keni harmoni e dashni në familjet tuaja. P.S. Unë e familja ime do ta mbajmë në zemër humbjen më të madhe që pësuam, pas ndarjes nga jeta të vëllait tonë Bedrës. Nëna ime humbi djalin e dashur, Arti e Olti babain, por kujtimet e buzëqeshja e tij do të na mbajnë përgjithmonë”, shkroi Haziri.