Kurti uron Ditën e Veteranëve të UÇK-së: Rezistenca e familjes Jashari shënoi kthesë historike drejt çlirimit të Kosovës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Ditën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nderuar të gjithë luftëtarët e lirisë që me guxim dhe vendosmëri e shndërruan aspiratën për çlirim në realitet historik.
Në një shkrim të publikuar në Facebook, Kurti rikujtoi se kjo ditë shënohet më 30 dhjetor për shkak të ngjarjeve të vitit 1991, kur forcat policore serbe ndërmorën aksionin e parë ndaj familjes Jashari në Prekaz. Ai theksoi se aksioni ndodhi vetëm tri javë pasi Adem Jashari dhe pjesëtarë të tjerë të vullnetarëve të stërvitur në Shqipëri ishin kthyer në Kosovë, ndërsa synimi i policisë ishte arrestimi i Adem Jasharit.
Sipas Kurtit, policia serbe nuk e kishte parashikuar rezistencën e armatosur të Rifatit, Hamzës dhe Ademit, të cilëve iu bashkuan kushërinj, bashkëfshatarë dhe luftëtarë të tjerë. Gjatë 30 dhjetorit 1991, Prekazi u shndërrua në arenë përballjesh, ku mbi 200 banorë nga Prekazi dhe fshatrat përreth u mobilizuan për të mbrojtur familjen Jashari. Si pasojë e aksionit, pati të plagosur, bastisje shtëpish dhe arrestime, përfshirë edhe Shaban Jasharin.
Kurti theksoi se Rifati, Hamza dhe Ademi arritën të dalin nga rrethimi policor, duke e nxjerrë jashtë tij edhe projektin kombëtar për çlirimin e Kosovës. Ai kujtoi se familja Jashari u përball sërish me sulme në janar të vitit 1998, vetëm disa javë para betejës finale të marsit, kur Adem dhe Hamza Jashari ranë dëshmorë pas një rezistence të paepur.
Në mesazhin e tij, Kurti vlerësoi veteranët e UÇK-së si bashkëluftëtarë dhe dëshmitarë të sakrificës së dëshmorëve për lirinë e Kosovës. “Me veprën dhe luftën tuaj, ju e keni bërë historinë e çlirimit të Kosovës,” shkroi Kurti, duke shtuar se kjo rrugë mbetet udhërrëfyes për të gjithë ata që angazhohen për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe forcimin e kombit shqiptar.
Shkrimi i plotë: