LVV-ja me fitore bindëse, partitë e tjera thonë se do të reflektojnë
Lëvizja Vetëvendosje ka arritur fitore të thellë të dielën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.
Bazuar në rezultatin preliminar të publikuar në faqen e Komisionit Qendror Zgjedhor, Vetëvendosja ka marrë 49.3 për qind të votave, ndërsa PDK-ja doli e dyta me 21 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës ka pësuar rënien më të madhe, duke dal e treta me 13,57 për qind. AAK-ja doli e katërta me 5,68 për qind.
Në këto shifra nuk janë llogaritur edhe votat nga jashtë dhe ato me kusht.
“Më 9 shkurt fitoi Lëvizja Vetëvendosje, më 28 dhjetor fitoi populli dhe Republika e Kosovës. Urime fitorja më e madhe në histori të vendit”, ka thënë kreu i LVV-së, Albin Kurti.
Partitë ish-opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike të Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë pranuar humbjen në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Përmes konferencave për media dhe reagimeve në rrjetet sociale, përfaqësuesit e këtyre subjekteve politike kanë pranuar se rezultatet zgjedhore ishin dukshëm më të dobëta sesa pritjet e tyre.
Liderët e partive kanë paralajmëruar nisjen e proceseve reformuese brenda subjekteve që drejtojnë.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbrëmë përmes një konference për media deklaroi se është i gatshëm të ofrojë edhe dorëheqjen, në kuadër të përgjegjësisë për rezultatin zgjedhor.
“Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur. Nuk është ai që unë si kryetar kam dëshiruar ta shohë ndonjëherë. Ky është një moment reflektimi i thellë, i përgjegjësisë dhe seriozitetit politik, ku qytetarët flasin e ne duhet t’i dëgjojmë. Kur populli jep verdiktin e vet ne duhet ta dëgjojmë e respektojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit janë të gatshëm të mbajnë përgjegjësi, jo vetëm kur kanë festë, por edhe kur kanë humbje si kjo”, u shpreh i pari i LDK-së.
Në konferencë për media u paraqit edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili duke marrë përgjegjësinë tha se partia që ai drejton së shpejti do të futet në proces të brendshëm zgjedhor dhe sipas tij, do të fillojë prej bazës në të gjitha nivelet.
“E para zgjedhjet kanë qenë mbrëmë, koha s’është e mjaftueshme për të parë se çfarë ka ndodh. Por, PDK e ka ruajtur votën e vet E thash që pozita ka edhe përgjegjësi dhe normalisht mbi bazën e përgjegjësisë i marrë vendimit. Kurrë s’i shmangen përgjegjësive. Tash e kam marrë PDK-në para një muaj dite, ka qenë kohë tepër e shkurtë që me u marrë me organizimi ne brendshëm dhe reformat në parti”, tha Hamza.
“PDK-ja shpejt do të futet në proces të brendshëm zgjedhor, dhe do të fillojë prej bazës në të gjitha nivelet. Nëse i referoheni dhjetëditëshit, besoj që fushata e PDK-së ka qenë shumë aktive edhe në terren edhe në rrjete sociale e televizione, kemi bërë përpjekje maksimale të shpjegojmë projektin tone. Një situatë komplekse bukur mirë të planifikuar se çka ndodh, PDK ka bë punë të mirë, e ka ruajtur trupin e vet elektoral, dhe do të rritemi edhe më tej”, tha ai, raporton klankosova.
Për reforma brenda partisë u zotua edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se kanë garuar në një betejë aspak të lehtë.
“Rezultati i këtyre zgjedhjeve e zgjidh ngërçin institucional, por kam frikë se nuk i zgjidh problemet e shqetësimet e qytetarëve. Kosova do të dobësohet në planin e brendshëm e të jashtëm e do të fitojnë armiqtë e saj! Rezultati është ky që është dhe ne do ta respektojmë votën e qytetarit, por dhe do të reflektojmë për proceset tona të brendshme”.
“Për ne zgjedhjet do të përfundojnë këtë pranverë, me zgjedhjet brenda Aleancës në të gjitha nivelet dhe me ringritjen tonë. Nga zemra i falënderoj të gjithë votuesit, aktivistët e AAK-së dhe gjithë të tjerët nga çdo cilësi e përkatësi e posaçërisht kolegët nga Lista 129, me të cilët kemi garuar në një betejë aspak të lehtë e në kohë të papërshtatshme”, është shprehur Haradinaj.