Rashiqi thotë se ka hyrë në Kuvendin e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Rashiqi thotë se ka hyrë në Kuvendin e Kosovës

Aktuale December 29, 2025 - 10:34

Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e udhëhequr nga Nenad Rashiq, ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Në një komunikatë për media, partia bëri të ditur se me mbështetjen e qytetarëve, që është shprehur përmes 4.600 votave të fituara, ajo rikthehet sërish si subjekt parlamentar.

Sipas partisë, ky rezultat është një konfirmim i fortë se zëri i qytetarëve nuk mund të heshtë.

Image

“Mbështetja juaj është fuqia që na obligon të vazhdojmë luftën për liri, drejtësi dhe mbijetesën e popullit tonë. Ju keni treguar se besoni në politikën e përgjegjësisë, dinjitetit dhe qëndrueshmërisë, dhe për këtë ju falënderoj sinqerisht”, theksohet në njoftim.

Partia shtoi se do të vazhdojë të përfaqësojë qytetarët në institucionet e vendit dhe të përkthejë këtë besim në rezultate konkrete.

“Ne e shohim këtë besim si një nder të madh, por edhe si obligim për të qenë më të fuqishëm, më prezent dhe më të përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Më herët, të dielën në mbrëmje, Lista Serbe - partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – pretendoi se me 90 për qind të votave të fituara të komunitetit serb, i ka fituar të gjitha 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend.

Megjithatë, kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek, pretendoi se Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Rashiqit “ka marrë vota në mjedise ku serbët nuk jetojnë”, dhe se janë të detyruar të presin edhe vlerësimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.

Zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, shtoi gjithashtu se po pritet edhe numërimi i votave me kusht, si dhe se janë në përpunim mbi 1.000 vota të personave të zhvendosur nga Kosova, të cilët gjithashtu kanë votuar në zgjedhjet e së dielës.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Lista Serbe ka marrë rreth 41.800 vota. Nga subjektet serbe në zgjedhje ka marrë pjesë edhe Aleanca Kosovare e Goran Marinkoviqit, e cila ka fituar rreth 550 vota.

Sipas uebsajtit të KQZ-së, numërimi në të gjitha komunat me shumicë serbe nuk ka përfunduar ende plotësisht.

Edhe në zgjedhjet parlamentare të muajit shkurt të këtij viti, Lista Serbe kishte pretenduar se i kishte fituar të gjitha dhjetë mandatet, por një mandat deputeti megjithatë përfundoi në duart e Rashiqit.

Rashiqi ishte ministër për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e kaluar të kryeministrit Albin Kurti, i cili e kishte emëruar në këtë pozitë pasi Lista Serbe i kishte braktisur institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Megjithatë, Lista Serbe këmbëngul në qëndrimin se Rashiqi nuk ka numër të mjaftueshëm votash për të përfaqësuar komunitetin serb.

Lista Serbe e kishte kundërshtuar gjithashtu në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e Rashiqit nënkryetar të Kuvendit tashmë të shpërbërë nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se ishin shkelur Kushtetuta dhe Rregullorja. Ende pritet vendimi i gjykatës lidhur me këtë çështje.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, njëri nga nënkryetarët duhet të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit serb.

Nga ana tjetër, sipas Rregullores së Punës, kandidatin për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb e propozon shumica e deputetëve nga ai komunitet. /Rel