Nga 9 shkurti te 28 dhjetori - LVV-ja rritet nga 48 në 56 ulëse, LDK-ja humb pesë mandate

Nga 9 shkurti te 28 dhjetori - LVV-ja rritet nga 48 në 56 ulëse, LDK-ja humb pesë mandate

Aktuale December 29, 2025 - 09:46

Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, duke arritur të marrë 49,30 për qind, ose 429.979 vota, kur janë numëruar 99,26 për qind të kutive, duke përjashtuar këtu votat e diasporës, ato me kusht dhe me asistencë.

Në këtë situatë, LVV me partnerët e saj e ka të hapur rrugën për të formuar qeverinë, e cila nuk ishte e mundur nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ku vendi u fut në një bllokadë mbi nëntëmujore.

Por si ndahen ulëset në Kuvendin e Kosovës në situatën aktuale?

Image

Sipas projeksioneve të mandateve, Lëvizja Vetëvendosje, me 49,30 për qind të votave të fituara, pritet të ketë 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Duke u bazuar në shpërndarjen e mandateve sipas formulës “D’Hondt”, Partia Demokratike e Kosovës, me 21,01 për qind të votave, siguron 23 ulëse parlamentare.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të përfaqësohet me 15 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës arrin të sigurojë 6 mandate.

Në raport me zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt 2025, Vetëvendosja shënon rritje prej tetë ulësesh, nga 48 që kishte në përbërjen e kaluar të Kuvendit. Në anën tjetër, PDK-ja regjistron humbje të një mandati, ndërsa LDK-ja pëson rënie më të madhe, duke humbur pesë ulëse nga 20 sa kishte më parë. AAK-ja, e cila në zgjedhjet e kaluara ishte në koalicion me Nismën, kishte siguruar gjithsej 8 mandate.

Përveç mandateve të partive parlamentare, 20 ulëse janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 i takojnë komunitetit serb dhe 10 komuniteteve të tjera.

Për konstituimin e Kuvendit, duke përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe më pas formimin e qeverisë, kërkohet mbështetja e së paku 61 deputetëve.

Vlen të cektet se në prill të vitit 2026 Kosova do të ketë edhe zgjedhjen e presidentit/es, andaj Lëvizja Vetëvendosje do të shpresojë që nuk do të ketë bllokadë për zgjedhjen e të parit të vendit. /telegrafi

Formula D’Hondt është një metodë matematikore për shpërndarjen e mandateve në zgjedhje parlamentare ose lokale, e përdorur në shumë vende, duke përfshirë edhe Kosovën. Ajo synon që numri i ulëseve në Kuvend t’u ndahet partive në përpjesëtim me numrin e votave të fituara