Abdixhiku paralajmëron dorëheqjen, thërret Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së
Foto: Laura Hasani

Abdixhiku paralajmëron dorëheqjen, thërret Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së

Aktuale December 28, 2025 - 21:58

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se rezultati zgjedhor nuk është ai që ka pritur, duke shtuar se ky është moment i një “reflektimi të thellë” dhe i përgjegjësisë politike.

Ai tha se sa më shpejt do të thërrasë Kuvendin e partisë, duke mos e përjashtuar as mundësinë e dorëheqjes së tij nga kreu i LDK-së.

“Të gjitha janë në diskutim në Kuvendin e Përgjithshëm, natyrisht edhe dorëheqja, pa diskutim”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku, që udhëheq me LDK-në që pesë vjet, uroi fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurtin, duke shtuar se vendi meriton stabilitet.

“E uroj fituesin, sepse Kosova ka nevojë për demokraci funksionale”, tha ai.

Në bazë të numërimin 95 për qind të votave, LDK-ja është e treta me 13.80 për qind të votave. Kjo parti kishte 18 për qind të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit.