Damati: Skandal që i dënuari për krime lufte ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës deri në arrestim
Avokati, Musa Damati, e konsideron si skandal rastin ku i akuzuari, Slagjan Trajkoviq, i cili u dënua këtë të premte me 10 vjet burim për krime lufte në Kosovë, ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës deri në arrestimin e tij.
“Vendimi nuk është i plotfuqishëm natyrisht se i njëjti do të apelohet nga mbrojtja e të akuzuarit dhe si vendim i formës së prerë i njëjti mund të ndryshoj – pra nuk është i formës së prerë. Si avokat, më bënë përshtypje jo të për mirë pavarësisht se ekziston prezumimi i pafajësisë mendoj se është një skandal i vërtetë pasi i njëjti ka qenë zyrtar i policisë së Kosovës deri në momentin e arrestimit të tij”, u shpreh Damati.
Musa, u shpreh se Kosova duhet të bëjë më shumë për krimet e luftës – në këtë rast të ketë një gjykatë të veçantë për trajtimin e këtyre rasteve.
“Duke i përcjell zhvillimet e fundit të gjyqësorit në Kosovë, mendoj se është duke u bërë sado pak një punë në aspektin e rasteve dhe çështjeve penale që janë ndër çështjet më komplekse në precedentin penal të Kosovës që kanë të bëjnë me krimet e luftës”.
“Mirëpo, mendoj se në aspektin e krimeve të luftës Kosova duhet të jetë më aktive, duhet të jetë me standarde më të larta profesionale dhe kjo nënkupton se ashtu siç kemi gjykata të caktuara në Kosovë duhet ta kemi edhe një gjykatë të profilit penal që merret ekskluzivisht me krimet e luftës – ashtu siç e kemi Gjykatën Komerciale duhet ta kemi edhe një gjykatë që merret me krimet e luftës – raste që janë mjaft komplekse”, u shpreh Damati. /rtvdukagjini