SPAK-u do të hetojë pasurinë e 89 kosovarëve në Shqipëri
Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se ka parashtruar kërkesë te Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, SPAK, për të nisur hetime për verifikimin e pasurive të mundshme në Shqipëri të 89 kosovarëve.
Siç u raportua dje, kjo pas dyshimeve se mund të krijuar mbi të ardhura kriminale.
Nga Prokuroria Speciale e Kosovës kanë konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se ka parashtruar kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare pranë autoriteteve të drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, për ndihmë në identifikimin e pasurive për të pandehurit që janë subjekt hetimi.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale ju konfirmon se ka parashtruar kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare pranë autoriteteve të drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, për ndihmë në identifikimin e pasurive për të pandehurit që janë subjekt hetimi”, kanë thënë nga Prokuroria Speciale në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net.
Kërkesa e bërë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është miratuar nga Gjykata e Posaçme, që i ka dhënë dritë jeshile SPAK-ut të kryejë hetime për llogari të palës kosovare.
Siç raportoi dje mediumi shqiptar A2Cnn, SPAK-u po heton 31 persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të angazhuar në trafik droge dhe pastrim të parave. Sipas raportimit, të gjithë janë identifikuar për shkak të komunikimeve në aplikacionin SKY ECC, duke u bazuar në të dhënat e marra nga autoritetet belge dhe franceze të drejtësisë.
Në filtër janë jo vetëm, pasuritë e tyre, por edhe të 58personave të tjerë, familjarë të tyre, në emër të të cilëve mund të jenë regjistruar pasuritë e paligjshme.
Në zbatim të kërkesës së drejtësisë kosovare, SPAK-u do të gjurmojë jo vetëm pasuritë e mundshme të patundshme të tyre, por edhe nëse kanë hapur llogari bankare në banka të nivelit të dytë në Shqipëri.