Kamberi dorëzon propozim për shuarjen e Qendrës Humanitare serbo-ruse në Nish
Në kuadër të grupit parlamentar me SDA e Sanxhakut dhe Lëvizjen e Qytetarëve të Lirë (PSG), deputeti Shaip Kamberi ka dorëzuar në Kuvendin Popullor të Serbisë propozimin për shfuqizimin e ligjit që ratifikon marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Federatës Ruse për themelimin e Qendrës Humanitare Serbo-Ruse në Nish.
Pas 13 vitesh funksionimi, sipas Kamberit, nuk ka prova që qendra ka vepruar në interes të qytetarëve të Serbisë apo ka luajtur rol të rëndësishëm në përballimin e fatkeqësive natyrore. Përkundrazi, veprimtaria e saj është karakterizuar nga mungesë transparence, paqartësi rreth financimit dhe dyshime serioze për rol politik dhe të sigurisë, si brenda vendit, ashtu edhe në rajon.
Një tjetër shqetësim i shprehur ka qenë tentativa për t’i dhënë qendrës dhe stafit të saj status diplomatik dhe imunitet, çka nuk përputhet me praktikat standarde të misioneve humanitare. E
kspertë vendorë dhe ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se struktura të tilla mund të përdoren për veprimtari inteligjente dhe destabilizuese, sidomos pranë objekteve strategjike.
Sipas Kamberit, hulumtimet e gazetarëve investigativë tregojnë se persona të lidhur me shërbimet ruse të inteligjencës dhe grupe paramilitare në Serbi kanë marrë pjesë në trajnime për nxitjen e trazirave gjatë zgjedhjeve në Moldavi dhe Rumani.
Shfuqizimi i ligjit synon të largojë dyshimet ekzistuese dhe të përshpejtojë rrugën evropiane të Serbisë, pasi qendra ka qenë objekt kritikash në raportet e Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian.