Kompania që importon qumështin “Aptamil”: Është i sigurt për përdorim

Kompania që importon qumështin “Aptamil”: Është i sigurt për përdorim

Aktuale December 24, 2025 - 21:21

Kompania “Union” ka njoftuar se formula Aptamil AR 1 është e sigurt për përdorim.

Sipas tyre, ky shqetësim është ngritur nga autoritetet në Kroaci për një seri të caktuar, mirëpo në Kosovë janë bërë analizat dhe kanë konfirmuar se ky product është i sigurt për përdorim, raporton Zeri.info.

“Për të informuar drejt opinionin publik dhe për të shmangur çdo keqkuptim, dëshirojmë të sqarojmë se formula për foshnje Aptamil AR 1 është e sigurt për përdorim. Shëndeti dhe siguria e foshnjave përbëjnë prioritetin tonë absolut dhe të pakompromis”, thuhet në komunikatën e kësaj kompanie.

Reagimi i plotë:

Lidhur me informacionet për produktin Aptamil AR 1 me lot numër 111444865 me datë të skadimit 17.05.2026

Për të informuar drejt opinionin publik dhe për të shmangur çdo keqkuptim, dëshirojmë të sqarojmë se formula për foshnje Aptamil AR 1 është e sigurt për përdorim. Shëndeti dhe siguria e foshnjave përbëjnë prioritetin tonë absolut dhe të pakompromis.

Të gjitha formulat për foshnje të markës Aptamil prodhohen në përputhje me standardet më të larta evropiane të sigurisë dhe cilësisë ushqimore, si dhe i nënshtrohen kontrolleve dhe testimeve rigoroze në çdo fazë të procesit të prodhimit, përpara se të dalin në treg.

Pas njoftimit të prodhuesit për shqetësimet e ngritura nga autoritetet kompetente në Republikën e Kroacisë, në lidhje me një seri të caktuar të produktit Aptamil AR 1, 400 g (data e skadimit: 17 maj 2026, LOT: 111444865), u realizuan menjëherë analiza dhe testime shtesë sistematike. Rezultatet e këtyre testimeve konfirmuan se produktet e kësaj serie janë të sigurta dhe plotësisht në përputhje me të gjitha kërkesat rregullatore të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, si masë parandaluese dhe si masë e sigurisë së shtuar në bashkëpunim me Inspektoratin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kemi marrë masa të largojmë produktin nga tregu.

Ne mbetemi tërësisht të përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë me autoritetet kompetente për të sqaruar plotësisht këtë rast dhe për të siguruar transparencë të plotë ndaj publikut, si dhe për të ruajtur besimin e prindërve në produktet tona, të cilat janë të sigurta dhe me cilësi të lartë.

U bëjmë thirrje mediave dhe publikut që të informohen vetëm përmes burimeve zyrtare dhe të verifikuara, për të shmangur keqinformimin dhe shqetësimin e panevojshëm të prindërve dhe konsumatorëve.