OSBE: Bashkëpunimi ndërkomunal në Kosovë mbetet i pazbatuar si duhet
Raport më i ri i Misionit të OSBE-së në Kosovë tregon se bashkëpunimi ndërkomunal (BNK), pavarësisht ekzistencës së një kornize ligjore të harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OECD-së, mbetet i kufizuar dhe nuk shfrytëzohet mjaftueshëm në praktikë.
Bashkëpunimi ndërkomunal u referohet marrëveshjeve formale ose joformale mes dy ose më shumë komunave për arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Kur zbatohet në mënyrë efektive, ai mund të përmirësojë ofrimin e shërbimeve, tërheqjen e fondeve dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve.
“Pavarësisht këtyre përfitimeve, bashkëpunimi ndërkomunal është shpesh joformal, i pastrukturuar ose nuk ndodh fare. Si rezultat, humbasin mundësitë për shërbime më të fuqishme, shpenzime publike më efikase dhe bashkëpunim më të avancuar mes komunave,” tha Ambasadori Gerard McGurk, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Raporti ofron rekomandime për autoritetet, duke përfshirë:
Thjeshtimin dhe modernizimin e kornizës ligjore për të lehtësuar themelimin e marrëveshjeve ndërkomunale;
Krijimin e stimujve politikë dhe një fondi të dedikuar për BNK.
Forcimin e mbështetjes institucionale dhe kapaciteteve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Promovimin e BNK-së si mjet për përfshirje gjithëpërfshirëse në shërbime sociale dhe iniciativa komunitare.
Raporti përfundon se me reforma dhe investime të qëndrueshme, bashkëpunimi ndër-komunal mund të kalojë nga një praktikë margjinale në një instrument thelbësor për përmirësimin e performancës komunale dhe forcimin e qeverisjes lokale.