Jashari pret me nderime shtetërore Kingjin, theksohet rëndësia e mbështetjes së FARSH-it për zhvillimin e mëtejmë të FSK-së
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji.
Siç bëhet e ditur në njoftim, fillimisht gjeneral Jashari e falënderoi gjeneral Kingjin për lidershipin e tij në udhëheqjen e FARSH-it, si dhe për mbështetjen dhe përkrahjen vëllazërore ndaj FSK-së.

Po ashtu bëhet e ditur se gjatë këtij takimi u diskutuan zhvillimet aktuale në fushën e sigurisë dhe roli i FSK-së në garantimin e sigurisë së Kosovës, si një kontribuues i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
“Gjatë takimit, të dy gjeneralët vlerësuan lart progresin e FSK-së në fushën e zhvillimit dhe modernizimit, si dhe performancën e trupave tona në ndërveprueshmëri gjatë aktiviteteve shumëkombëshe. Njëkohësisht, u theksua rëndësia e mbështetjes së FARSH-it për zhvillimin e mëtejmë të FSK-së, veçanërisht në fushat e arsimimit, stërvitjes dhe shkëmbimit të përvojave, duke avancuar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh. Në përmbyllje të takimit, gjeneralët ritheksuan se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet një prioritet strategjik kombëtar. Në këtë kontekst, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse u vlerësua si thelbësor për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal”, thuhet në njoftim. /Zëri