Festat boshatisin Shqipërinë, nëntori shënon rekord daljesh jashtë vendit

Festat boshatisin Shqipërinë, nëntori shënon rekord daljesh jashtë vendit

Aktuale December 23, 2025 - 22:15

Ritmi i daljes së shqiptarëve jashtë ka qenë më i lartë se ai i hyrjes ë të huajve në vend gjatë nëntorit. Shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave për Lëvizjen e Shtetasve konfirmojnë së gjatë nëntorit kur janë edhe një seri festash kombëtare dhe ditësh pushimi, vendasit kanë preferuar të udhëtojnë jashtë.

Konkretisht sipas INSTAT gjatë muajit nëntor 2025, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës s Shqipërisë, 1.282.118 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 1,4%, krahasuar me nëntorin 2024, 1 322 499 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 3,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Turoperatorët thanë se vjeshta ka shënuar një ecuri më të mirë të turistëve në raport me atë të kaluar dhe se shtatori e tetori ishin në nivele të kënaqshme teksa nëntori kishte një ngadalësim edhe si efekt i motit jo shumë të qëndrueshëm.

“Në nëntor 2025, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 652.150, duke pësuar një rënie me 1,3%, krahasuar me nëntor 2024. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 629.968. Ky numër është rritur me 4,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024”, thuhet në njoftimin e INSTAT.

Ndërkohë sa takon daljeve në muajin nëntor 2025, 677 065 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 7,5%, krahasuar me nëntor 2024.

“Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit nëntor 2025 janë 645.434. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues paraqitet pothuajse i pandryshuar, me një rënie shumë të lehtë prej 0,01%”, vlerëson INSTAT.

Sipas njoftimit në nëntor 2025, 96% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 86% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 5%, Evropa Qëndrore / Lindore dhe Evropa Veriore secili me 4%.

Turoperatorët nënvizojnë se vizitorët nga Europa Perëndimore por edhe më gjerë po vizitojnë Shqipërinë sidomos gjatë vjeshtës dhe pranverës në një interes për turizmin kulturor. Përveç italianëve që mbeten grupi më i rëndësishëm pas Kosovës edhe Gjermania apo Franca po rrisin dukshëm peshën e tyre.

Sipas INSTAT, qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 97% të rasteve është për qëllime personale. Në nëntor 2025, ky tregues ka shënuar një rritje me 4,5 % krahasuar me nëntor 2024. Hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale kanë rënë me 3,6%./tvklan