36-vjetori i LDK-së, Hadergjonaj: Trashëgimia jonë kombëtare, pikë orientimi për rrugën tonë përpara
“Trashëgimia e fuqishme kombëtare e LDK-së mbetet pikë orientimi për rrugën tonë përpara”, ka thënë kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Fadil Hadërgjonaj.
Këto komente, Hadergjonaj, që në listën e LDK-së mban numrin 20-të, i ka bërë përmes një postimi në Facebook, të martën, në 36 vjetorin e themelimit të LDK-së.
Ai ka treguar se manifestimin e 36-vjetorit të LDK-së e kanë filluar me homazhe pranë varrit “të arkitektit të shtetit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, themeluesit të familjes sonë politike”. Me këtë akt nderimi, ai theksoi se kujtuan figurën historike “që me vizion, urtësi dhe përkushtim hodhi themelet e shtetësisë së Kosovës”. “Nderim dhe respekt i përhershëm për të gjithë ata që e themeluan dhe e udhëhoqën LDK-në ndër vite”, shtoi ai. “Trashëgimia e saj e fuqishme kombëtare mbetet pikë orientimi për rrugën tonë përpara, drejt një Kosove me ekonomi të qëndrueshme, të integruar në strukturat euro-atlantike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, potencoi Hadërgjonaj.


