Disa komuna ndalojnë fishekzjarrët për fundvit, ekspertët kërkojnë më shumë vetëdije nga qytetarët
Foto: Laura Hasani

Disa komuna ndalojnë fishekzjarrët për fundvit, ekspertët kërkojnë më shumë vetëdije nga qytetarët

Aktuale December 21, 2025 - 08:41

Festat e fundvitit këtë vit nuk do të shoqërohen me zhurmë fishekzjarrësh në Prizren.

Ky vendim u mor nga vetë komuna, si masë për parandalimin e rreziqeve dhe lëndimeve gjatë festave.

E ngjashëm sikurse Prizreni kanë vendosur Gjilani e Vushtrria.

Njohësi i çështjeve emergjente, Ilir Morina tregon rreziqet që vijnë nga këto mjete piroteknike.

“Aspekti i sigurisë dhe i lëndimeve e i plagosjes që po ndodh me to, pra me nxjerrjen e syrit edhe të organeve të tjera dhe dëme të tjera që ata kanë pasoja gjithë jetën, pastaj mos me thënë që ka pas raste edhe të djegies në përgjithësi të një magazine, në keqmenaxhimin e tyre dhe në vdekjen e personave në Prizren qe e kemi pasur rastin. Do të thotë janë raste të rënda që po na i kthejnë festat në tragjedi familjare dhe do duhet që këto masa të përcillen dhe të merren dënime rigoroze në mënyrë që të vetëdijesohet popullata”.

Përveç dëmeve te njeriu, këto mjete vlerësohet se shkatërrojnë edhe ajrin.

“Shpërthimi i mjeteve piroteknike dhe fishekzjarreve tash që janë të zakonshme në festat e fundvitit kanë ndikim të keq në mjedis, do të thotë ato lirojnë gazra toksike si sulfur, metale të rënda alkaline, alkaline tokësore dhe përpos që ndotin ajrin dhe janë të dëmshëm për fëmijët dhe ata që janë të sëmurë me sëmundje respiratore, ato kanë ndikim të keq se depozitohen në tokë dhe prishin ekosistemin bimor dhe shtazor e mos të flas për pjesën e zhurmës e të stresit që i japin gjitha specieve”, tregoi profesori i mjedisit, Sami Makolli.

Tëvë1 ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga vetë personat që mirren me shitjen e mjeteve piroteknike, mirëpo të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin.

Një vit më parë, Ministria e Punëve të Brendshme kishte ndaluar përdorimin e mjeteve piroteknike para datës 26 dhjetor, dhe ishin të lejuara deri më 1 janar./teve1